TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Qershor 2023, 11:33

Korrupsioni masiv dhe skandalet me Kadastrën, Rama shfajëson veten: Ministra, deputetë dhe kryetar bashkie e bënë “han pa porta”

Shkruar nga Pamfleti
Korrupsioni masiv dhe skandalet me Kadastrën, Rama shfajëson veten:
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme për shërbimet e Kadastrës të cilat nga 3 korriku do të merren onine përmes e-Albania. 

Gjatë fjalës së tij, Rama ka bërë fajtor deputetë, ministra kryetar Bashkie, për gjendjen në të cilën ndodhet Kadastra. Ai tha se ata, ndonëse nuk iu drejtua personalisht me emra, por me postin e tyre, kanë “interferuar” me punën e tyre duke shfrytëzuar pushtetin e duke ndërhyrë deri në imponim deri në emërimin e punonjësve.

“Kadastra nuk është për “qoka”. Kadastra është penguar në radhë të parë nga ju. Këtu nuk kam parasysh secilin prej jush, por kategorinë që përfaqësoni, deputetë, ministra, kryetarë bashkish. Për të vazhduar më tutje, të gjithë ata që kanë sadopak pushtet.

Që i kanë dhënë vetes të drejtën që të interferojnë me kadastrën për të gjitha llojet e nevojave. Që nga influenca për emërimet e drejtuesve, deri në imponim, tek influenca për punonjës në Kadastër, për mbështetje për njërin apo tjetrin deri në imponim duke e penguar që të bëhet ajo që duhet të jetë, banka e sigurt e pronës së patundshme të shqiptarëve. Kjo është e vërteta e hidhur.

Aktori kryesor i kësaj historie të zymtë është korrupsioni. Kur gjenerali shkul një mollë, ushtarët marrin të gjithë pemën, ka bërë që për shkak se influenca politike mbi Kadastrën e deputetëve, e kryetarëve të bashkive ka qenë shumë e pranishme.

Atëherë të tjerët kanë bërë njëmijë fishin e asaj që kanë qenë të detyruar nga lidhjet miqësore, familjare, klanore. Dua ta them me gojën plot dhe kokën ulur, sot është dita për t’i kërkuar një ndjesë shumë të madhe të gjithë shqiptarëve që kanë kaluar në zinxhirin e torturave në Kadastër. Kjo është ndjesa e një kryetari partie.” tha ai.

Kryeministri shtoi gjithashtu se është bërë punë, por jo aq sa duhet, për të zhbërë ndikimin e politikës mbi Kadastrën.

“Nuk jemi në kushtet kur që kemi arritur aty ku duhet, por kemi parë çudira pas çudirash me pronat e shqiptarëve. Influenca politike mbi Kadastrën ka qenë shumë e pranishme, atëherë të tjerët kanë bërë njëmijë fishin e asaj që kanë qenë të detyruar nga lidhjet miqësore, familjare, nga lidhjet klanore”, u shpreh Rama.

Rama gjithashtu u justifikua se nuk kanë mundur ta transformojnë Kadastrën ndonëse kanë pasur shumë kohë. Kreu i qeverisë thekson se kanë bërë shumë përpjekje për ta ndryshuar sistemin e marrjes së titullit të pronësisë, por ende nuk ka pasur rezultat.

“Arsyeja pse dëshirova ta bëjë këtë takim të hapur duke ftuar disa ministra, deputetë, kryetarë bashkisë është për të thënë disa të vërteta të rëndësishme të cilat janë të vërtetat e shumë njerëzve që në gjithë këtë periudhë, edhe pse kemi bërë shumë përpjekje për ta ndryshuar sistemin e marrjes së titullit të pronësisë, kanë hasur me situata dhe procese absurde deri në dhimbje. E vërteta e parë është se ne nuk kemi arritur edhe pse e kemi pasur një kohë të gjatë në dispozicion që ta transformojmë Kadastrën në atë që është në të vërtetë”, tha Rama.

kadastra rama skandal

Lini një Përgjigje