
Ne zbatim të vendimmarrjes të një jave më parë, në Kolegjin Zgjedhor do të rinumërohen sot 18 kuti të Bashkisë Kuçovë.
Për këtë qëllim në sallë janë montuar pajisjet për 4 tavolina numërimi. Në seancën e kaluar kandidati humbës në Kuçovë, Lefter Maliqi, pretendoi një sërë parregullsish në procesin zgjedhor të 14 majit në Kuçovë.
Sipas tij, 18 kutitë që do të rinumërohen kanë qenë jashtë këndit të shikimit të kamerës vëzhguese të KQZ në KZAZ-në e Kuçovës.
Kolegji Zgjedhor vendosi rinumërimin e 18 kutive të votimit në bashkinë e Kuçovës më 23 qershor.
Vendimi u mor pas ankimimit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kandidatit Lefter Maliqi.
Lefter Maliqi i ishte drejtuar me herët Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, ku kërkonte hedhjen poshtë të vendimit të KZAZ së Kuçovës, e cila shpalli fitues kandidatin socialist Kreshnik Hajdari në zgjedhjet e 14 majit, duke e akuzuar kundërshtarin për blerje votash.
Maliqi ngriti pretendime për votime në grup si dhe parregullsi nga anëtarët e qendrave të votimit. Zgjedhjet nxorën fitues Kreshnik Hajdarin e PS-së me 682 vota diferencë me Lefter Maliqin.
Lini një Përgjigje