
Ka nisur seanca paraprake në GJKKO për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili është nën akuzë për korrupsion në zgjedhje
Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme ka nisur seanca paraprake për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili është nën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Memolla nuk është paraqitur në seancë, por përfaqësohet nga avokatët e tij.
Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.57 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve: Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, Ndriçim Tafxhafa, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku.
SPAK ka dërguar për gjykim Memollën më 2 nëntor, pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio të një bisede telefonike në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, sipas të cilës pretendohet se Memolla paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve të Rrogozhinës në këmbim të votave. Në bisedë telefonike me një grua, Memolla konfirmon se ishte takuar më herët me telefonuesen, të cilës i kishte garantuar mos-ndërprerjen e energjisë, në këmbim të votës për zgjedhjet e 6 marsit.
E më pas në telefon del elektricisti që kishte shkuar për ndërprerjen e energjisë, të cilit Memolla i kërkon që të mos ia ndërpresë energjinë. Madje Memolla e orienton elektricistin që pasi të kalojnë zgjedhjet mund të vepronin.
Akuzat e SPAK ndaj Memollës dhe tre të akuzuarve të tjerë:
-Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328-25 i K. Penal;
-Ndriçim Tafxhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal;
-Blerim Xhamani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 dhe 186 paragrafi 2 të Kodit Penal;
-Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Lini një Përgjigje