
Ish-deputeti i PS, Nazmir Bilani, ka shpërthyer në kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Në rrjetet sociale ai nuk ka lënë gjë pa thënë për kreun socialist. Sipas tij, projekti i tij politik është i thjeshtë: gënje, vidh, pastro paratë, dhe përsërite ciklin.
Edi Rama është një rast klinik ku arroganca, injoranca dhe fantazia kriminale janë bashkuar në të njëjtin trup të gjatë e të zbrazët. Në fillim të çdo premtimi, ai shfaqet si shpëtimtari i kombit; në fund, si mjeshtri i përlarjes së buxhetit.
Një njeri që qesh me ironi edhe kur e kapin në flagrancë me premtimin në dorë dhe në vend të ndjesës, shpik një gënjeshtër të re. Një artist i falsifikimit moral, që përdor VKM-të si furça, dhe ligjet si kanavacë, për të pikturuar çdo krim shtetëror me ngjyrat e “arsyes shtetërore”.
Projekti i tij politik është i thjeshtë: gënje, vidh, pastro paratë, dhe përsërite ciklin.
Siç tha Hannah Arendt, “Kur të gjithë janë fajtorë, askush nuk është fajtor”, dhe Rama e ka kthyer këtë në art kombëtar. Çdo aferë bëhet “punë qeverie”, çdo vjedhje bëhet “investim strategjik”.
Në mungesë të aftësisë për të ndërtuar liri dhe drejtësi, ai ndërton fasada milionash, duke e ditur që një popull i mahnitur me ngjyrat e fasadës nuk sheh mizerjen pas saj.
Bertrand Russell e kishte paralajmëruar: “Qeveritë që duan të duken të dobishme pa qenë të tilla, përdorin projekte të mëdha për të mbuluar mungesën e lirive dhe drejtësisë.” Rama, thjesht, e ka marrë këtë si manual pune.
Ndërkohë, investitorët e tij “strategjikë” janë shpesh fantazma ekonomike, pa të ardhura ligjore, por me valixhe plot me para të pista. Tenderat publikë fitohen nga kompani që nuk plotësojnë as kushtin e parë ligjor, por që kanë një meritë të vetme: afërsinë me “artistin” e madh.
Dhe publiku?
Shumë prej tyre, të ulur në divan, e shohin këtë shfaqje si reality show, dhe nuk e pranojnë dot që janë gënjyer. Sepse është më e lehtë të jesh i gënjyer, sesa të pranosh se je naiv. Rama e di këtë. Dhe kur tha “Nuk keni parë gjë akoma…”, ai nuk po tallej, thjesht po njoftonte episodin e radhës të serialit të tij të gjatë të shkatërrimit kombëtar.
Lini një Përgjigje