TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Korrik 2023, 09:58

Këta nuk janë miq, janë sekt

Shkruar nga Pamfleti
Këta nuk janë miq, janë sekt
Aleks Soros në ditëlindjen e Edi Ramës

Historia ka treguar që sekte të tilla dhe lojëra të tilla nuk sjellin asgjë të mirë. Dhe historia është mësuesi më i mirë për njeriun. Prandaj pas zgërdhirjes së Kryeministrit krah Aleksit, pas atij qiririt modest të ditëlindjes së Ramës, fshihet një zjarr i madh dhe i rrezikshëm...

Ata që i njohin, nuk u çuditën kur, në ceremoninë para kryeministrisë, të pritjes së ish-presidentit Bill Klinton, në radhën e dytë të të ftuarve, fiks pas kurrizit të Klinton, panë të ulur Aleks Soros, ndërsa në krah të tij (presidentit), Andi Dobrusha, drejtor i Fondacionit "Soros" për Shqipërinë. Nuk u çuditën sepse që nga viti 2017 kur deklaruan se u takuan për herë të parë, nën bekimin e të atit, George; Edi Rama dhe Alex Soros e kanë pranuar se u është ngjitur kaq shumë muhabeti me njëri-tjetrin, sa tanimë mund të quhen miq për kokë.

Këta nuk janë miq, janë sekt

Janë kaq miq sa, çdo herë, përpara një ngjarje të madhe, që ka lidhje me politikën e brendshme ose të Jashtme, Rama dhe Soros Junior shfaqen bashkë. Janë kaq miq dhe shfaqen kaq çuditshëm në publik, të rrethuar nga shumë simbolika dhe në prag ngjarjesh të mëdha, sa mund të thuhet me siguri që ajo që i lidh është më shumë se një simpati miqësore.

Edhe kësaj here kështu ndodhi.

Fiks para vizitës se Bill Klinton në Shqipëri, me 21 Maj, Rama njoftoi (mund edhe t'ia kishte kursyer opinionit publik këtë njoftim), se kishte darkuar me "mikun e tij", Aleks Soros dhe fotoja që Rama kishte përzgjedhur për të shoqëruar takimin ishin dy miqtë e zënë për qafe dhe një kapotë e vjetër ushtarake, përqafuar nga Kryeministri.

Këta nuk janë miq, janë sekt

Simbolika ishte diskutueshme dhe shumëdimensionale e interpretueshme. Sikur të mos mjaftonte kjo, mediat afër pushtetit, kur u njoftua vizita e ish-presidentit amerikan  aq të dashur për shqiptarët, Bill Klinton, filluan të flisnin edhe për "mesazhe të rëndësishme qe Klinton do të jepte për Kosovën". Gjë që ndodhi... Nga e kishin vallë këtë informacion?

A mund të jenë këto rastësi?

Nuk do t'i hyjmë fare tezës, fort të mundshme, se kjo ishte një vizitë e sponsorizuar nga Soros, prej së cilës padiskutim që përfiton vetëm "miku" i madh i familjes - tek e fundit nuk ka asgjë të keqe sikur këtë vizitë ta ketë sponsorizuar Soros - por do të vazhdojmë të analizojmë sjelljet  jo prej miqsh, por si anëtarë të të njëjtit sekt, të Edi Ramës dhe Aleks Soros. Dhe mbi të gjitha guximin që politikanët tanë pikantë të së majtës kanë për ta shfaqur këtë marrëdhënie, pikërisht të tillë, si sekt.

Çfarë pa publiku shqiptar? Një Aleks Soros që puthet e përqafohet me Erion Veliajn (kryetari i Tiranës ka paguar një shumë të majme që kjo të ndodhte), i njohur i vjetër i tij, shok festash, përfitues i vjetër i parave të baba Sorosit. U pa edhe një foto nga festa private e Kryeministrit, ndërsa frynte një qiri ditëlindje dhe në krah kishte mikun, bashke-sektarin Soros dhe të fejuarën e këtij të fundit.

Edi Rama donte të publikonte me çdo kusht provat që Aleksi kish qenë përkrah tij në çdo moment. Pse? Sepse diktatorët kështu sillen dhe kjo e Ramës është sjellja tipike e një njeriu që as do t'ia dijë e as i intereson pasoja. Interesi i tij i momentit, ai qe e mban dhe i sponsorizon pushtetin, është Aleksi. Me ndonjë rrezik kolateral nëpër këmbë si puna e Erjon Veliajt, por kjo është tjetër mesele.

Për momentin sekti i tyre i shërben atij, dhe kaq mjafton.

Prej tij, Rama ka shijuar të gjitha fitoret e brendshme, mbi opozitën (e shkatërruar tashmë) dhe pushtetin e  brendshëm që sot e shijon i vetëm. Prej tij, Rama sot po kërkon lavdinë ndërballkanike dhe evropiane, që çon ujë në burimin e Vuçiç dhe i heq gurët e themelit Kosovës. Dihet botërisht që kumbari i miqësisë Rama-Vuçiç është Aleks Soros. Dihet gjithashtu botërisht se kumbari i Ballkanit të Hapur (që u mbyll pa filluar) është Aleks Soros. Dihet botërisht që interesi i sektit Soros është shkulja e një pjese të territorit të Kosovës dhe dhënia e tyre Serbisë dhe për këtë Rama dhe disa politikanë (jo në pushtet) të Kosovës kanë punuar për shumë vite.

Të gjitha këto, këta anëtarë të sektit Soros nuk i kanë fshehur kurrë. Përkundrazi! Si në rastin e fundit, Edi Rama ka bërë të pamundurën, duke publikuar copa takimesh, drekash e darkash, e duke përcjellë mesazhe të koduara që opinioni i gjerë nuk i lexon dot, ama ata që janë pjesë e lojës politike dhe jo vetëm, po.

A ka rrezik këtu? Dhe nëse po, cili është?

Nuk duam të jemi pjesë e teorive konspirative që thonë se Shqipëria është një laborator eksperimental për Sorosin dhe pasoja e këtij eksperimenti do të jetë e tmerrshme për shqiptarët.

Ama për aq kohë sa kjo qeveri ka zero transparencë, zero informacion dhe zero shpjegime për këto që bën, mund të themi me siguri që diçka luhet nën rrogoz. Historia ka treguar që sekte të tilla dhe lojëra të tilla nuk sjellin asgjë të mirë. Dhe historia është mësuesi më i mirë për njeriun. Prandaj pas zgërdhirjes së Kryeministrit krah Aleksit, pas atij qiririt modest të ditëlindjes së Ramës, fshihet një zjarr i madh dhe i rrezikshëm. Urojmë të mos e shkrumbojë Shqipërinë!/Pamfleti

soros rama sekti

Lini një Përgjigje