TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Dhjetor 2023, 16:08

Këshilli i Mandateve pranon kërkesën e SPAK, i hap rrugë arrestimit të Sali Berishës

Shkruar nga Pamfleti
Këshilli i Mandateve pranon kërkesën e SPAK, i hap rrugë
Këshilli i Mandateve dhe Berisha

Enkelejd Alibeaj ka bashkuar votat me deputetët e PS, duke i hapur rrugë SPAK të veprojë ndaj Sali Berishës...

Këshilli për Mandatet dhe Imunitetin ka hapur rrugën për arrestimin e Sali Berishës. Pas më shumë se 4 orë debate e diskutime, me 6 vota pro u vendos që të pranohet kërkesa e SPAK.

Prokuroria e Posaçme akuzon Sali Berishën se nuk respekton masën e sigurisë të vendosur nga dy shkallë gjyqësori. Berisha është nën hetim për korrupsion me ish-kompleksin “Partizani”, ndërkohë që ndaj tij është dhënë një masë sigurie “detyrim paraqitje”. Ai nuk e zbatoi masën dhe SPAK ka kërkuar në Kuvend që të lejojë vendosjen e një mase sigurie më të rëndë ndaj tij, qoftë “arrest shtëpie”, apo qoftë “arrest me burg”.

Berisha vendosi të bojkotojë mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ai dërgoi vetëm 2 avokatët e tij Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj. Po ashtu dhe 4 deputetë të opozitës nuk pranuan të ishin pjesë. I pranishëm ishte vetëm Alibeaj. Duhet theksuar se Alibeaj ka qenë një ndër më të sulmuarit nga Berisha.

Avokat e Berishës debatuan gjatë me prokurorët dhe anëtarët e Këshillit, duke u kapur pas faktit se SPAK ka shkelur Kushtetutën me vendosjen e masës “detyrim paraqitje”. Sipas tyre, ai po tentohet të arrestohet politikisht.

Nga përshkrimi rezulton qartë se zoti Berisha ndiqet sot penalisht për aktivitetin e tij politik, në kohën që i referohet SPAK, kur ka qenë kryeministër i vendit, deri në ditët e sotme. Rast i paprecedentë që minon çdo parim të një shoqërie demokratike, të akuzohet një deputetët dhe lider i opozitës se ka kryer korrupsion duke miratuar ligje, apo akte nënligjore në plotësim të funksionit të tij politik. Kjo vërteton se kemi një proces penal në kuadër të të cilit po i hiqet liria Berishës, kur ne thelb konsistojnë insinuata dhe qëndrime politike të karrierës së liderët të opozitës. Sepse për ligjet që referohet Kuvendi, nuk ka asnjë iniciative ligjore as nga opozita e asaj kohe, as nga grupe të tjera që te jenë konstatuar këto ligje. Kjo është një situatë e rrezikshme dhe këmbanë alarmi jo vetëm për Berishën sot por, për të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur nga populli shqiptar se nuk mund të ushtrojnë lirisht funksionet e tyre politike”, tha Sokol Mëngjesi.

Nga ana e tyre, prokurorët u shprehën se janë të sigurt në korrupsionin e zotit Berisha. Arben Kraja deklaroi se ai nuk zbaton vendimet e gjykatës dhe prandaj ata kanë bërë kërkesën. Sipas tij, ai është si të gjithë qytetarët dhe ligji është i njëjtë për këdo.

Kemi kërkuar ashpërsim, se nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës në tre raste. Nga seanca e vlerësimit të masës, kemi konstatuar se kur kanë shkuar për ti dorëzuar aktet, kanë dalë dyer të mbyllura. Nuk është fshehur se është përditë në media e TV, por ju themi se nuk zbaton vendimet është shtetas I republikës, dhe si i tillë është i barabartë para ligjit”, tha ai.

Më herët, avokatët e Berishës kërkuan pezullimin e mbledhjes, me argumentin se ata kanë bërë një padi në Kushtetuese dhe duhet të pritet vendimi i saj. Por mazhoranca bashkë me Alibeajn e rrëzuan.

Në fund, ashtu sikundër pritej, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit nuk krijoi asnjë pengesë. 5 përfaqësuesit e mazhorancës dhe vetë Alibeaj votuan pro kërkesës. Tani raporti do i shkojë seancës plenare dhe sapo raporti të miratohet, SPAK ka të drejtë të kërkojë në gjykatë një masë sigurie më të rëndë ndaj deputetit Berisha. Mësohet se votimi do të zhvillohet në seancën e ditës së enjte. Në të njëjtën ditë, Berish ka thirrur protestë para Parlamentit, sikundër bëri edhe sot. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje