TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Nëntor 2024, 17:14

"Kërcënim për gjithë rajonin", Tabaku: Kosova të mos ulë kokën para terroristëve

Shkruar nga Pamfleti

"Kërcënim për gjithë rajonin", Tabaku: Kosova

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas shpërthimit në veri të Kosovës. Ajo ka dënuar ashpër sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, duke e cilësuar si një akt terrorist që cenon jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Tabaku u shpreh se ky sulm përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës dhe një përpjekje për të destabilizuar rajonin. Deputetja e PD bëri thirrje për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe se çdo veprim i tillë të marrë përgjigjen e merituar.

“Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe, veçanërisht, sulmi kriminal dhe terrorist ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit, janë një akt i papranueshëm dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Dënoj me forcë këtë akt terrorist dhe uroj që autorët të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Tabaku.

Deputetja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për të ndalur sulme të tilla të përsëritura, ndërsa shtoi kjo nuk është thjesht një çështje e brendshme e Kosovës, por një sfidë për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Ajo tha gjithashtu se dëmtimi i një infrastrukture kritike, që siguron ujë për qytetarët dhe energji për Kosovën, përbën një sulm të hapur ndaj çdo qytetari kosovar. Tabaku theksoi se Kosova nuk duhet të trembet përballë këtyre kërcënimeve, ndërsa bën thirrje për mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe së ardhmes së rajonit.

“Dëmtimi i një infrastrukture jetike, që siguron ujë për qytetet dhe energji për Kosovën, është një sulm kundër çdo qytetari kosovar. Kosova nuk do të përkulet përballë kërcënimeve. Duhet të mbrojmë paqen, sigurinë dhe të ardhmen e rajonit”, shkruan Tabaku në rrjetet sociale.

Lini një Përgjigje