
Vëmendja e ndërkombëtarëve është fokusuar tek ngjarjet e fundit politike që kanë ndodhur në vend. Kaosi në Kuvend i krijuar nga deputetët e grupimit të Gazment Bardhit dhe Sali Berishës ka qenë në qendër të diskutimeve me ndërkombëtarët që bëjnë thirrje për dialog.
Sipas deputetit të Rithemelimit, Bledion Nallbati, opozita po kërkon të drejtën kushtetuese dhe se aksioni ka të bëjë me të drejtat themelore.
“Kjo mazhorancë nuk i jep të drejtat e veta kushtetuese opozitës. Nuk ka marrë parasysh asnjë amendament të vetëm. Aksioni që ka nisur ka të bëjë me të drejtat themelore të opozitës. E shesin sikur po e bëj për vete, kam dy muaj që jam përjashtuar, kam 2 muaj pa rrogë, të ishte ashtu qëndroja atje por e bëj për qytetarët, për opozitën”, tha Nallbati.
Nga ana tjetër deputeti socialist, Arben Pëllumbi duke diskutuar seancën e së hënës, tha se ata duhet të bënin punën e tyre. Për deputetin socialist aksioni opozitar ka dhunën në përgjigjet e veta, ndërsa shtoi se nuk është e nevojshme që të na japin këshillat ndërkombëtarët.
“Ne duhet të bënim detyrën tonë aty. Nëse në aksionin tuaj opozitar është dhuna ka dhe përgjigjet e veta. Në demokraci funksionojnë rregullat kushtetuta, parimet bazë të një demokracie. Sot duhet të jemi të pjekur politikisht që mos të na japin më këshilla ndërkombëtarët. Zjarri i ka rënë opozitës dhe jo Shqipërisë. Ngjarjet më të rënda të këtij vendi në krye të elementeve të dhunës ka qenë i njëjti personazh Sali Berisha. Historitë e dhunës në këtë vend janë pjellë e Partisë Demokratike”, tha Pëllumbi për Report TV.
Lini një Përgjigje