TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Shtator 2023, 15:18

Kallëzimi në SPAK për Krifcën, kreu i Nismës Thurje: Fondet e BE i kthyen në hotele dhe vila

Shkruar nga Pamfleti

Kallëzimi në SPAK për Krifcën, kreu i Nismës Thurje:

Nisma Thurje denoncoi ditën e sotme në SPAK ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe disa zyrtarë të AZHBR-së, në lidhje me abuzimet me fondet e IPARD-it, që u ndërprenë nga Bashkimi Europian.

Sipas Nismës Thurrje është abuzuar me një vlerë prej rreth 70 milionë euro.

Në një intervistë për News 24, Endri Shabani, kreu i Nismës Thurrje tha se qëllimi i kallëzimit është të vërë në lëvizje drejtësinë jo vetëm për fondin e dhënë nga BE-ja dhe që sipas organizmave të saj, ka pasur abuzime, por edhe rreth 23 milionë euro të taksave të qytetarëve shqiptarë.

“Po prisnim raportin përfundimtar të zyrës së OLAF të KE-së që ka dalë të enjten. Ne duam që SPAK të hetojë çfarë është bërë me fondet e BE-së. Ka një program që është IPARD, ku janë shpërndarë 70 milionë euro, të cilat sipas BE-së janë abuzuar. Në vend që të shkonin te bujqësia, te peshkatarët, kanë shkuar te oligarkë që ndërtojnë vila, hotele dhe restorante. Këta nuk duhet të ishin subjekte që përfitojnë. Nga 71 milionë euro që janë, 23 milionë janë taksa tona.

Ne i kërkojmë SPAK të bëjë një hetim të plotë. Veç hetimit që ka bërë OLAF, duhet të hetohet çfarë është bërë me këto të tjerat. Ka raste të denoncuara në media ku individë që duhet të ishin kualifikuar nga AZHBR, nuk janë kualifikuar dhe janë kualifikuar të tjerë që sot u kërkohet të kthejnë paratë. Ne duam të dimë çfarë është bërë me lekët tona dhe çfarë është bërë me fondin e BE-së. Mund të ketë një vendim të BE-së për të na lënë jashtë ndihmës. Duhet vendosur një precedent që kushdo që e merr peng integrimin e Shqipërisë në BE nuk mund ta bëjë pa i hyrë gjemb në këmbë”, tha Shabani.

endri shabani frida krifca fonde abuzim

Lini një Përgjigje