
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku deklaroi se roli i opozitës dhe hapësira e saj në parlament është totalisht e kufizuar nga qeveria.
Me anë të një video-mesazhi të publikuar në faqen e saj në Facebook, ajo tha se ditën në të cilën prezantohej progres-raporti i BE, që theksonte luftën kundër korrupsionit si më kryesoren në Reformat që duhen ndërmarrë për Shqipërinë në BE, mazhoranca rrëzon propozimet e paketës antikorrupsion.
Sipas saj, arsyeja e vetme e rrëzimit të këtyre paketave, ishte se këto i propozonte Partia Demokratike.
“Sot fatkeqësisht parlamenti votoi kundër iniciativave të Partisë Demokratike në ligjin e Koncesioneve dhe PPP-ve. Ligje të hartuara në standardet më të mira të BE të cilat vendosin nën fre korrupsionin në sektorin më të korruptuar në Shqipëri atë të kontratave publike. Ku kishim parasysh ndalimin e kompanive offshore, ndalimin e kompanive pa kapitale, pa asete, kompanive që nuk kryejnë punët publike.
Qartësisht kishim vetëm një problem, i propozonte opozita. Sot, sektori i koncesioneve, PPP-ve siç thotë Progres raporti është nga sektorët më të pakontrolluar ndaj është e nevojshme ta vendosim atë në binarët e ligjit.
Por nga ana tjetër ashtu siç thotë dhe Progres Raporti dhe hapësira e opozitës në parlament pikërisht për të ushtruar këtë rol; për të propozuar ligje, për të hetuar, për të kontrolluar, për të mbikëqyrur qeverinë është totalisht e kufizuar”, tha Jorida Tabaku.
Lini një Përgjigje