TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë24 Nëntor 2023, 21:44

Janë të zhytur të gjithë/ Nga Rama, te Meta, Basha e Berisha, asnjëri nuk e do rihapjen e “21 Janarit”

Shkruar nga Pamfleti
Janë të zhytur të gjithë/ Nga Rama, te Meta, Basha e
Janë të zhytur të gjithë

“21 Janari” u rikthye sot në qendër të vëmendjes nga kryeministri, por nëse shohim faktet dhe historikun, si ai, ashtu dhe rivalët e tij, nuk duan që të hapet kjo pagë e vjetër...

Kryeministri Edi Rama ju rikthye sërish sot çështjes së “21 Janarit”. Ndonëse vendimi i Strasburgut ka gati 10 ditë që ka dalë, Rama doli në një konferencë shtypi dhe kërkoi drejtësi. Fjalë që e kemi dëgjuar për 11 vite rresht çdo 21 janar, si para ashtu dhe pas marrjes së pushtetit.

Që në vitin 2012 e deri më sot, Rama është shfaqur me lule në duar para Kryeministrisë, duke kujtuar Ziver Veizin, Hekuran Dedën, Alkes Nikën dhe Faik Myrtajn. Pas homazheve, Rama ka mbledhur në Kryeministri familjarët e viktimave dhe ka premtuar çdo vit drejtësi. Sivjet këtë gjë e bëri afro 2 muaj para.

Krime shtetërore si ajo e 21 janarit, historia mëson se vonojnë të zbardhen por nuk mbeten kurrë pa zbardhur. Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën dhe ligjin dhe dhimbjen e familjarëve të viktimave. Është koha që drejtësia e re të reagojë", tha Rama sot në një konferencë me gazetarët.

Por a e do vërtet Partia Socialiste rihapjen e dosjes? Rama thotë po në publik, por faktet flasim se PS kurrë nuk ka dashur të hapet kjo plagë e vjetër.

Qytetarët që u vranë u sollën para Kryeministrisë pikërisht nga Edi Rama dhe partia që ai drejton. Vetë Rama, atë ditë nuk shkoi në bulevard dhe Berisha e akuzon se e dinte që do të kishte revolta. Ai kurrë nuk është pyetur në prokurori për protestën dhe nëse dosja rihapet, mund të ndodhë që dhe kryeministri të pyetet nga SPAK si iniciator i demonstratës.

Pastaj, shefin e grupit të zjarrit, Rama mori dhe e bëri kryetar bashkie në Mat. Gjithashtu, nuk pati kurrë një lëvizje që të ndihmonte në zbardhjen e ngjarjes.

PS ka 10 vite në pushtet dhe ngjarja nuk është zbardhur. Rama fshihet pas faktit që nuk ndikon dot te drejtësia, por ka dhe manovra të tjera. Pse Taulant Balla bëri padi për ish-kompleksin “Partizani” dhe nuk pati asnjë padi, qoftë dhe sa për formalitet ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ndrea Prendit dhe shumë zyrtarëve të tjerë? Edhe sot, Rama konfirmoi të njëjtën gjë, se ata nuk do bëjnë asnjë lëvizje, thjesht do të shpresojnë që të dëgjohet fjala e Strasburgut. Pra faktet tregojnë se Rama dhe PS nuk kanë qenë të interesuar që kjo ngjarje të zbardhet.

Padyshim ai që nuk e do aspak është Sali Berisha. Ai akuzohet si personi që urdhëroi vrasjet. Vetë në dokumentin e Strasburgut tregohet se si ai prishi provat, ushtroi presion ndaj drejtësisë dhe deformoi hetimet. Pra ai është përgjegjësi kryesor dhe padyshim nuk e do hapjen e dosjes. Nga ana tjetër Berisha fajëson Ramën, duke treguar se të gjithë janë të zhytur në këtë krim shtetëror.

"Jam 100 për qind dakord për hetim dhe rihetim të çdo procesi. Por sqaroj shqiptarët se nëse ai proces nuk është hetuar siç duhet, ai nuk është hetuar vetëm për shkak të Edi Ramës. Për të mbrojtur Edi Ramën, i cili është autori i vërtetë prapa asaj që ndodhi. I cili erdhi dhe e rrethoi kryeministrinë me banda dhe banditë, në një protestë më të dhunshmen në historinë e vendit. Me qëllime të caktuara ndaj pushtetit. Edi Rama i ka të gjithë deklaratat e tij në televizion, se kur populli do të bëjë këtë, se kur populli do bëjë atë”, tha Berisha pak ditë më parë.

Një emër tjetër që nuk e do këtë dosje është padyshim Lulzim Basha, i cili ndoshta është dhe personi që nëse flet, mund t’i japë një herë e mirë fund këtij debati. Basha ishte ministër i Brendshëm në atë kohë dhe kishte përgjegjësinë të garantonte rendin. Në përgjimet që kanë dalë së fundmi, në një moment del dhe Basha, i cili kërkon takim me Prendin. Dikush e dha urdhrin për të vrarë dhe tre janë ata që e kanë bërë, ose Sali Berisha, ose Lulzim Basha, ose Ndrea Prendi. Ish-ministri gjithmonë i ka bërë bisht kësaj çështje dhe kurrë nuk ka folur, pasi nëse flet, padyshim fundos dhe veten.

Personi i katërt është Ilir Meta. Jo se ka ndonjë përgjegjësi ligjore, por “21 Janari” ndodhi për shkak të tij. Ishte videoja e tij me Dritan Priftin që shkaktoi protestën dhe më pas vrasjet në bulevard. Meta ishte pjesë e qeverisë në atë kohë dhe e di se çfarë ka ndodhur. Edhe ai, njësoj si Basha e ka shmangur sa më shumë “21 Janarin”. Madje kur ishte President, kjo datë e gjente gjithmonë jashtë.

Pra me pak fjalë, te 21 Janari janë të zhytur të gjithë. Nga Rama, Berisha, Meta e Basha. Dhe kjo është arsyeja se përse kjo dosje është groposur që në vitin 2011 dhe përsa kohë ata janë në politikë, vështirë se do të hapet. /Pamfleti

Lini një Përgjigje