
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, ka akuzuar qeverinë se po tenton të manipulojë votat.
I ftuar në emisionin “Open” në “News24”, Boçi u shpreh se i gjithë zinxhiri shtetëror është i angazhuar që të punojë për manipulimin e vullnetit të qytetarëve dhe votës, ndërsa u shpreh se për një gjë të tillë disponojnë edhe prova.
Boçi tha se këto prova do të paraqiten edhe para Prokurorisë së Posaçme, e cila merret me shqyrtimin e rasteve të krimit zgjedhor.
“Panorama është e thjeshtë, një shtet në të dy nivelet lokal e qendror që ka lënë të gjitha punët edhe është fokusuar vetëm tek rrëmbimi i votës. Bën ligjin si të dojë dhe përballë ka një votues që kërkon ndryshimin.
Kemi prova! Sot të gjithë drejtuesit e bashkisë dhe administratës janë në krah të kandidatit të mazhorancës në takimet e tij. Kjo do dërgohet në SPAK, i cili merret me krimin zgjedhor. Kemi bërë edhe deklarata.
Kur nuk e zgjidh shteti e SPAK kush e zgjidh tjetër? I gjithë zinxhiri shtetëror është në një llogore kundër vullnetit të qytetarëve. Sfida sot është e demokracisë e votës, jo se cili kandidat do të fitojë”, tha Boçi.
Lini një Përgjigje