TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Prill 2025, 21:21

Iris Luarasi: Rama me fat që përballë ka një opozitë të shkalafitur, ja pse e meriton mandatin e 4-t

Shkruar nga Pamfleti

Iris Luarasi: Rama me fat që përballë ka një opozitë

Iris Luarasi, e cila kandidon në listën e mbyllur të PS-së për Qarkun e Tiranës, në podcasting ‘Të Pashoq’ ka folur për fushatën e zgjedhjeve të 11 majit.

Luarasi tha se Edi Rama dhe PS e meritojnë mandatin e 4-t për reformat që ka ndërmarrë, por edhe për faktin se përballë nuk ka një alternativë, një opozitë të fortë.

Luarasi tha se për fatin e Edi Ramës, sidomos në këto 4 vitet e fundit, kemi pasur një opozitë të shkalafitur.

A bëjnë kandidatët fushatë?

Natyrisht që të gjithë kandidatët bëjnë fushatë, qofshin në listë të hapur edhe të mbyllur. Unë fushatën time e bëj kryesisht në media.

Ftesën kush ua bëri dhe pse e pranuat?

Ftesa më erdhi nga Kryeministri. Kjo nuk ishte hera e parë që merrja një ftesë. Ka ardhur edhe më parë, por unë nuk e kam menduar veten ndonjëherë brenda politikës. Kam qenë analiste politike, por pa qenë pjesë e një partie politike. Kur ti je një njeri thjesht opinionbërës, ti thua atë që mendon, edhe përgjegjësinë e mban vetë. Kurse kur je pjesë e një grupimi politik, atëherë atë që thua ti e mban përgjegjësinë, por e merr edhe grupi ku ti bën pjesë.

Surprizë për publikun mund të ketë qenë kandidimi juaj, por në të gjitha analizat tuaja, është perceptuar që keni qenë majtas

Ne jemi qenie politike, secili nga ne, qoftë edhe në momentin e votimit, çdo njeri ka një lloj bindje, është qënie politike. Kjo pjesa që thuhet se njerëzit janë jashtë politikës, në momentin që shkohet te kutia e votimit, njerëzit dashje pa dashje bëjnë zgjedhjen e tyre, pra politike. Unë vij nga një familje me bindje të majta.

Keni votuar ndonjëherë PD?

Nuk e kam votuar asnjëherë, por në një rast nuk kam shkuar të votoj sepse kështu e kam menduar.

Pse mendoni se PS-së i duhet një mandat i 4-t qeverisës?

Është rast i paprecedentë që të kërkosh një mandat të 4, pasi një parti politike ka kostot e veta dhe konsumimin. Por arsyeja që PS duhet të marrë mandatin e 4 varet nga disa procese, ku kryesori është integrimi në BE. Kjo nuk varet nga qeveritarët tanë 100%, por varet nga mënyra se si do të votosh me reformat. Reforma të suksesshme janë hapja e kapitujve, por kryereforma është ajo në Drejtësi.

Praj u mendoni se kjo reformë është meritë e PS?

Reforma nuk ishte meritë e PS, përderisa u votua nga 140 deputetë. PS ka pasur pafundësi mundësish për ti vendosur shkopinj reformës në drejtësi, por nuk e ka bërë. Mund të ngresh pafundësi komisione, por kur nuk ka impakte atëherë s’mund t’I paragjykojmë proceset.

Meritoni vërtet mandatin e 4 apo sepse përballë nuk keni një alternativë?

Mendoj se janë të dyja. Me një opozitë të shëndetshme, më të fortë, pa pasur ato historitë që kemi parë, sepse unë besoj se një opozitë e fortë do të mbante përgjegjëse Qeverinë. Kemi një opozitë të shkalafitur, dhe ky është fat për Edi Ramën dhe i shkon në favor PS. Por kemi edhe reformat që kanë ndodhur. Ne jetojmë në këtë vend, kemi 30 vite tranzicioni, sa herë kanë ardhur në Tiranë të gjithë liderat europianë?

 

Lini një Përgjigje