Kos u shpreh skeptike nëse Rama dhe Vuçiç kanë një kuptim të plotë të kërkesave që duhet të përmbushin vendet për t’u bërë pjesë e këtyre strukturave.
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, ka kundërshtuar propozimet e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për një integrim më të shpejtë të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe në zonën Shengen, pa miratimin e plotë të vendeve anëtare.
Në një intervistë për Politico, Kos u shpreh skeptike nëse Rama dhe Vuçiç kanë një kuptim të plotë të kërkesave që duhet të përmbushin vendet për t’u bërë pjesë e këtyre strukturave.
“Nuk jam e sigurt nëse Vuçiç dhe Rama e dinë sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit apo të tregut të përbashkët dhe se procesi i reformave është i vështirë si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për anëtarësimin në BE”, tha ajo.
Komisionerja nënvizoi se reformat e nevojshme janë komplekse dhe kërkojnë përmbushje të standardeve si në aspektin ekonomik, ashtu edhe politik.
Ajo theksoi gjithashtu se procesi nuk mund të ecë përpara pa vendimmarrjen e vendeve anëtare të BE-së.
“Pa vendimet e vendeve anëtare nuk mund të ecim përpara. BE-ja duhet të ndryshojë rregullat e saj për të mundësuar një valë të re anëtarësimesh”, deklaroi Kos, duke u bërë thirrje kritikëve të propozojnë alternativa konkrete.
Ajo bëri të ditur se Komisioni ka paraqitur tre opsione për politikën e zgjerimit, ruajtjen e status quo-së, integrimin gradual dhe integrimin e fazuar.
Sipas saj, as opsioni i tretë, që parashikon anëtarësim të shpejtë të ndjekur nga reforma, dhe as ruajtja e sistemit aktual nuk janë të pranueshme.
“Opsioni i tretë do të ishte një revolucion, ndërsa i pari nuk është më një zgjedhje”, u shpreh Kos, duke shtuar se diskutimet po fokusohen në përmirësimin e modelit të integrimit gradual për ta bërë procesin më të shpejtë.

Editoriali i përbashkët mes dy Ramës dhe Vuçiçit ishte se Shqipëria dhe Serbia pranojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian edhe pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse të unionit.
Editoriali i publikuar në median gjermane propozonte që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen gradualisht në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Schengen pa qenë ende anëtare të plota të unionit.
Lini një Përgjigje