Ditën e sotme, pesë anëtarë të opozitës në Këshillin e Mandateve thirrën një mbledhje të Këshillit në orën 11:00, por i kanë gjetur dyert e mbyllura në godinën e Kuvendit.
Sipas PD, kryetari Niko Peleshi ka urdhëruar mbylljen e sallës së mbledhjes së Këshillit. Sipas PD, deputetët janë paraqitur në ambientet e sallës, por e kanë gjetur derën e mbyllur.
Oerd Bylykbashi shprehet se ‘bëmë këtë kërkesë, por kryetari refuzon të thërrasë pjesën tjetër e anëtarëve duke bllokuar një proces të rëndësishëm kushtetuese. Ne presim këtu që Kuvendi të na vërë kushtet që kjo mbledhje të jetë funksionale, por ja ku jemi, kryetari i Kuvendit e ka bllokuar, dera është e mbyllur’.
“Kolegët kanë bërë kërkesë për të thërritur mbledhjen me rend dite shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres dhe deputetes Belinda Balluku në kuadër të hetimeve që ata po bëjnë. Me praninë e pesë anëtarëve mbledhja është e vlefshme, por kryetari i Kuvendit sërish refuzon që ta thërrasë, të thërras pjesën tjetër, të bëjë veprimet e tij të domosdoshme të kërkuara nga ligji, duke bllokuar një proces shumë të rëndësishëm kushtetues të Parlamentit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit dhe mospengimin e drejtësisë në hetimin e kësaj afere skandaloze korruptive”, tha deputeti i PD, Oerd Bylykbashi për mediat.
Ndërkohë dita e sotme është shpallur ditë zyrtare pushimi nga qeveria dhe nuk është hera e parë që opozita i drejton Kuvendit një kërkesë për shqyrtimin e çështjes së imunitetit.
Vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar pak ditë më parë se Kuvendi nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese për çështjen e pezullimit të zv.kryeministres, seancë e cila pritet të mbahet më 22 janar.
Opozita, ndërkohë këmbëngul se një afat prej një jave është i mjaftueshëm për shqyrtimin e kërkesës. Më 23 dhjetor, pavarësisht mungesës së mazhorancës, deputetët demokratë u mblodhën në mënyrë simbolike në Këshillin e Mandateve, ku zunë vendet e tyre dhe akuzuan socialistët se po pengojnë drejtësinë në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut.
Lini një Përgjigje