
Ish-kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko pas dorëheqjes së Alibeajt nga posti i kryetarit të komanduar të PD-së ka treguar se brenda grupit kanë nisur disa lëvizje të fshehta.
Një intervistë për “Report tv”, ai ka ngritur dyshime mbi sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi, për të cilin tha se diçka po luhet aty, pasi ky i fundit nuk i ka njoftuar për mbledhjen e Kryesisë.
Bejko la të kuptohet se dikush e kishte bërë me qëllim diçka të tillë. Bardhi pas dorëheqjes së Alibeajt njoftoi se do të zhvillonte një takim me Jorida Tabakun.
“Z. Alibeaj nuk e ka diskutuar me askënd dorëheqjen. E ka dhënë vetë. Duhet ta bënte diskutimin, më tha që ‘nëse do ta flisnim ju do të ndikonit të ndërroja mendjen’. Nuk ka një njoftim për mbledhje kryesie. Nuk është bërë njoftimi nga një sekretar aty që është në parti. Seç po luhet aty. Njoftimi nuk është bërë dhe s’ka mbledhje nesër. Kjo më duket e padrejtë.
Dorëheqja e Alibeajt ka ndikuar jo pozitivisht pasi na gjeti të papërgatitur neve që jemi në vijën e parë të zjarrit. Dorëheqja zhvendosi debatin, sepse tema e ditës duhet të ishte ajo e Berishës nga pala tjetër që kishin si objektiv fitoren. Ai dështoi në mënyrë të plotë, tha që gjoja do të mbronte votat e shqiptarëve dhe do të fitonte. Gjithsesi z. Alibeaj është një personazh me karakter dhe zbatoi vendimin e Kryesisë së PD që menjëherë pas zgjedhjeve i mbaronte mandati Alibeajt dhe niste ristrukturimin”, tha Bejko.
Ndër të tjera Bejko bëri thirrje që riorganizimi i PD të nisë urgjent dhe që të drejtohet nga një grup kolegjial, jo nga një individ.
“Atij që i lëviz fijet në PD që një orë e më parë të nisin procesin në PD. Procesi të drejtohet nga një grup kolegjial dhe jo nga një individ. Demokratët të bashkohen dhe të vijnë”, u shpreh Bejko.
Kujtojmë se Roland Bejko sulmoi edhe ditën e djeshme Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun për mos ndihmë në fushatë dhe krijimin e një klime jo të shëndetshme brenda partisë. Ai deklaroi se Bardhi ka ndihmuar kandidatin e Berishës në zgjedhjet lokale të 14 Majit, ndërsa Tabaku nuk u shfaq asnjë ditë në fushatë, por hidhte foto nga Bjeshkët e Namuna.
Lini një Përgjigje