TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Dhjetor 2023, 16:20

Hapat dhe afatet, si do të procedojë Kuvendi për t’i hapur rrugë masës së arrestit për Berishën?!

Shkruar nga Pamfleti

Hapat dhe afatet, si do të procedojë Kuvendi për t’i hapur

Sipas burimeve, pritet që sot Nikolla të vërë në dijeni Këshillin e Mandateve dhe ai me shumë mundësi do të mblidhet brenda kësaj jave. Nëse procedohet si me rastin e Ahmetajt, me shumë mundësi javën që vjen Berisha është pa imunitet dhe drejtësia mund të veprojë pas asnjë kufizim ndaj tij...

Mosbindja e Sali Berishës ndaj drejtësisë duket se ka marrë fund. Edhe pse SPAK e la në “detyrim paraqitje”, Berisha vendosi t’i sfidojë duke mos e njohur këtë masë të aprovuar nga dy shkallë të gjyqësorit. Por Prokuroria e Posaçme ka vendosur të mos lejojë asnjë precedent të ngjashëm dhe ka futur në lojë nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale, i cili i jep të drejtë të kërkojë masë më të rëndë sigurie nëse masa e parë nuk zbatohet.

Për këtë arsye, në Kuvend ka shkuar një kërkesë për t’i hequr Sali Berishës imunitetin e deputetit dhe SPAK të ketë të drejtë të vendosë masë arresti ndaj tij, qoftë “arrest në shtëpi” apo “arrest me burg”. Por cilat do të jenë tani hapat që do të ndiqen?

Është neni 118 i Rregullores së Kuvendit, ai i cili detajon të gjitha procedurat që duhet të ndjekë tani Kuvendi. Sipas këtij neni, Lindita Nikolla duhet të vërë menjëherë në lëvizje Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vërë në dijeni Berishën.

Sipas pikës 2, deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

Berisha ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

Rregulloja përcakton se shqyrtimi i kërkesës vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Vetë Berisha ka të drejtë të marrë fjalën gjatë votimit që do të bëhet në seancë plenare.

Në fund Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës ndaj deputetit.

Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Sipas burimeve, pritet që sot Nikolla të vërë në dijeni Këshillin e Mandateve dhe ai me shumë mundësi do të mblidhet brenda kësaj jave. Nëse procedohet si me rastin e Ahmetajt, me shumë mundësi javën që vjen Berisha është pa imunitet dhe drejtësia mund të veprojë pas asnjë kufizim ndaj tij. Sipas burimeve, për të shmangur tensionet, mazhoranca pritet të caktojë një seancë të posaçme në mënyrë që të mos ketë çështje te tjera në rend dite. /Pamfleti

Hapat dhe afatet, si do të procedojë Kuvendi për t’i hapur

 

berish arret kuvend

Lini një Përgjigje