Kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakojanis do të udhëtojë në Himarë të hënën për t'u takuar me anëtarët e komunitetit etnik-grek në qytetin jugor shqiptar, shkruan gazeta greke eKathemerini.
Ai pritet të shprehë edhe mbështetjen për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në paraburgim që prej arrestimit në maj me akuzën e blerjes së votës.
Arrestimi i Belerit pak përpara zgjedhjeve lokale në Shqipëri ka shkaktuar tensione mes dy fqinjëve, me Athinën që kërcënon të bllokojë ofertën e anëtarësimit të vendit ballkanik në Bashkimin Evropian nëse ai nuk lirohet dhe nuk lejohet të bëjë betimin për të marrë postin e tij.
Bakojanis është planifikuar të flasë në një tubim të madh të grekëve të Himarës të hënën në mbrëmje.
Ndërkohë Fredi Beleri ka treguar edhe prapaskenat e arrestimit, dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.
Në një intervistë për Lapsi.al, Beleri është shprehur se u arrestua, pasi në Himarë Rama u bojkotua nga qytetarët. Ai thotë se kryeministri e sulmoi egërisht, pasi nuk e kapërdiu dot këtë fakt.
Beleri shprehet mes të tjerash se beson se vullneti i popullit të Himarës do të lexohet.
“Rama më sulmoi egërsisht nga Himara pasi u acarua kur pa se nga votuesit himariotë nuk kishte pjesëmarrje në mitingun e organizuar nga Partia Socialiste. Mitingu u shty një orë deri sa erdhën autobusa nga Selenica dhe Vlora për të mbushur sheshin. Kryeministri nuk mundi të pranonte që për vjedhjet e pronave , ndërtimiet pa leje, abuzimin me tenderat dhe pronën publike, populli i Himares i kishte kthyer krahët. Kryeministri në atë miting tregoi disa nga komplekset e tij dhe tregoi gjithashtu që nuk e pranon demokracinë, mendimin ndryshe dhe as ka respekt për kundërshtarin.
Rama nuk e kapërdin dot që për Micotaqis u grumbulluan aq shumë njerëz në Himarë ndërsa në mitingjet e tij vijnë vetëm patronazhistë, administratë dhe të grumbulluar me autobusa nga qytetet e tjera. ”, është shprehur nga burgu Fredi Beleri.
Lini një Përgjigje