Opozita, por edhe socialistë me mend kanë shansin sot të tregojnë se, deputetët janë përfaqësues të popullit dhe jo delet e Bablokut…
Sot kolegët e ish- shokët e tij do të duhet t’i hapin rrugë arrestimit të deputetit Arben Ahmetaj.
Votimi do të bëhet në seancë plenare, por gjithçka do të vendoset nga Këshilli i Rregullores dhe Mandateve. Ka ditë që reporterë e analistë që nuk e njohin fare ligjin flasin për heqje imuniteti e nisje hetimesh.
Ka që në vitin 2012 që deputetët, ministrat, madje edhe kryeministri nuk kanë asnjë imunitet për t’u hetuar. I vetmi vendim që duhet t’i lejojë Parlamenti Prokurorisë, SPAK në rastin aktual është leja për të arrestuar, përgjuar apo kontrolluar deputetin.
Në rastin e Arben Ahmetajt, SPAK i ka kontrolluar të dyja banesat për të cilat akuzohet ai, pasi janë pronë e bashkëjetueses së tij, për të cilën ka gjasa që të mos ketë ndalesë ligjore për këtë gjë.
Pra Arben Ahmetaj nuk ka pasur asnjë ndalesë ligjore për t’u hetuar, dhe SPAK e ka hetuar, madje ka hapur edhe procedim penal, pra e ka shpallur nën hetim për tre vepra. Për të cilat, natyrisht që duhet të vendosë gjykata nëse janë apo jo të mbështetura.
Prokuroria e Posaçme, ka një vit që ka hetuar intensivisht për Arben Ahmetajn, e ky i fundit ka qenë krejt bashkëpunues, madje siç e kemi parë disa herë ka shkuar vetë në zyrat e SPAK për t’ju përgjigjur pyetjeve të prokurorëve.
Në thelb dhe në realitet, Ahmetaj as ka tentuar të largohet, dhe as të prishë provat, ngaqë nuk ka asnjë funksion ligjor e shtetëror ta bëjë një gjë të tillë.
Kështu që kërkesa ekstreme për arrest me burg, nuk justifikohet, edhe nga disponimi i personit në hetim ndaj SPAK, por edhe për vetë veprat penale, të cilat as nuk janë flagrante, e as që flasin për krime të rënda, që justifikojnë mbajtjen në izolim.
Në thelb kërkesa për arrest me burg është një spektakël, një teatër për të bërë bujë, por që nuk është një standard që SPAK e ka ndjekur ndaj zyrtarëve të lartë që po i heton prej kohësh.
Kështu ka ndodhur me Sali Berishën, familjarët e tij, apo edhe me Fatmir Mediun, i cili ka madje edhe një vendim gjykate mbi shpinë.
E gjitha kjo është një gjueti shtrigash e Edi Ramës, jo thjesht ndaj Arben Ahmetajt, por ndaj të gjithë atyre brenda partisë së tij, të cilët nuk i konsideron më të dobishëm për të mbajtur pushtetin.
Dhe pikërisht parabola që ka ndjekur me Ahmetajn, është një skandal i madh që duhet t’i bëjë të mendojnë të gjithë deputetët e PS-së, por edhe të opozitës, sesi duhet të votojnë në seancë për kërkesën e SPAK.
Edi Rama, siç dihet, e ka urryer Arben Ahmetajn, pasi mendon se ka qenë ai, që i pari e ka furnizuar LSI-në me dokumentet për inceneratorët, që më pas Monika Kryemadhi i çoi një SPAK.
Kjo tezë nuk është pranuar nga Ahmetaj, por edhe sikur të jetë e vërtetë, atëherë del se është pikërisht Arben Ahmetaj, që ka dhënë kontributin më të madh që afera e inceneratorëve të hetohet, duke pasur përpara prova të abuzimit të madh me to. E nuk është e rastësishme që lufta mediatike ndaj Ametajt është financuar me paratë e pronarit të inceneratorëve, Mirel Mërtirit.
Të paktën për këtë, opozita duhet të bëjë betejë politike në Kuvend për të mos e lejuar izolimin në burg të Ahmetajt. Qoftë edhe si një mirënjohje që i ka dhënë publikut dhe opozitës natyrisht, një dritare për të parë abuzimin me inceneratorët.
Opozita mund të votojë pro për të lejuar përgjimet dhe kontrollet e banesës, por jo izolimin me burg, pasi ajo bëhet pikërisht që Ahmetaj të jetë nën kontrollin total të Ramës. Në burg, që natyrisht izolohet nga njerëzit e Bablokut, Ahmetaj është i izoluar e i kërcënuar për çdo veprim apo qëndrim të mëtejshëm. Qoftë edhe atë që kërkon opozita zyrtarisht, që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
Putin i izolon kundërshtarët e tij në burgjet e shtetit, pikërisht për tua ndaluar aktivitetin. Nëse opozita voton kundër, jo nuk merr pjesë, por voton kundër, i jep SPAK një precedent që duhet të mos kthehet në një grup jakobin që sillet si në një shtet totalitar. Hetimi bëhet edhe në gjendje të lirë, apo arrest shtëpie, ku i pandehuri mban kontakte me avokatët por edhe me median e publikun. Nëse nuk lejon arrestin e Ahmetajt, krijon gjasa që edhe nëse eksponentë të opozitës hetohen, ata mund të ndiqen jo në izolim.
Ndërkaq, deputetët e Partisë Socialiste, të paktën ata që i kanë dy para mend në kokë, duhet të votojnë kundër kërkesës së SPAK për izolim me burg. Këtë bëri PS edhe me Saimir Tahirin, e hetimi nuk u pengua asnjë ditë, madje SPAK nuk ndryshoi asgjë nga akuza e saj deri ditën që u zhvillua procesi. Por edhe për të ndaluar që Edi Rama, t’i trajtojë deputetët si vegla qorre për të ndëshkuar ata që nuk i do, e më pas kur t’i shtrydhë si limonë, të bëjë të njëjtën gjë, për t’u hedhur turmave mish të kuq, e hijaneve një pre për tu jargavitur.
Drejtësia nuk është një histeri kolektive, por process juridik, që duhet zhvilluar me procedura. Ndryshe, jemi në një paradiktaturë, ku Edi Rama izolon dhe i çmend në burg, të gjithë ato që vendos ai për interesat e pushtetit të tij, që kërkon ta zgjasë sa më shumë.
Por për të ndodhur kjo, pra që sa më shumë deputetë të bashkojnë votat për të mos lejuar izolimin e Arben Ahmetajt, do të duhet që opozita zyrtarisht të kërkojë që vota për këtë në seancë të jetë e fshehtë me kuti, e jo me elektronikë. E për këtë të bëjë një betejë të ashpër në Këshillin e Mandateve.
Kur vota të jetë e fshehtë, atëherë si opozita në bllok, por edhe sa më shumë socialist, duhet të mos japin lejen për të arrestuar Ahmetajn. Nëse ndodh kjo, SPAK nuk pengohet aspak nga hetimi, pasi ka të gjithë lirinë të përgjojë të hetuarin, ta ndjekë e thërrasë kur të dojë për pyetje. Ndërkaq, si opozita por edhe ata socialistë që Rama ua ka sjellë në majë të hundës, mund t’ja thyejnë kokën mytesarifit të Erdoganit. Për t’i treguar se deputetët janë përfaqësues të popullit dhe jo delet e Bablokut…/Pamfleti
Lini një Përgjigje