Nga shitja e pasurive, te zhdukja e pajisjeve elektronike të PL, a po eliminon Meta gjurmët?
Pas një periudhe të gjatë heshtjeje dhe daljeje nga “qarkullimi”, Ilir Meta duket se është kthyer në identitet.
Kur i bënë “puç” gjatë kohës që ishte President, merrte malet, kërcënonte, anatemonte, dilte foto me qen, me mace, etj. Sot po bën të njëjtën gjë. Tani ka filluar hipën majë hekurave dhe vijon të godasë me daljet e tij. Pa bërë rolin e psikologut, duket sikur ish-Presidenti është në hall dhe sinjalet janë se halli më i madh i tij është SPAK. Janë dy dosje përvëluese që janë drejt fundit, ajo e CEZ-DIA dhe lobimeve në SHBA.
Sipas informacioneve, SPAK i ka sekuestruar Metës dhe Kryemadhit telefonë dhe disa pajisje elektronike. Por, dje pati një deklaratë të çuditshme nga radhët e PL. Petrit Vasili denoncoi se i kishin vjedhur një hard-disk dhe të dhënat e komunikimit të partisë. "Partia e Lirisë është përballur me një ngjarje të tipit mafioz, karakteristikë e “Rilindjes”, e cila kërkon Qeverinë vetëm me shantazh dhe presion. Persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar kanë hyrë në zyrat e saj në mes të natës, duke grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike, një pajisje DVR (hard disk), si dhe duke lidhur, dëmtuar dhe thyer linjat e kabllove në mënyrë të fshehtë. Partia e Lirisë, në zbatim të ligjit, ka depozituar denoncimin për këtë ngjarje në Prokurorinë e Tiranës për hetimin dhe identifikimin e autorëve”, njoftonte kjo parti.
Duhet theksuar se pak kohë më parë në selinë e kësaj partie kanë shkuar agjentë të BKH dhe ky reagim vjen në një kohë kur Meta është nën hetim. Mos vallë Ilir Meta po zhduk provat? Me zhdukjen e rrjetit të komunikimeve dhe të DVR-së, janë zhdukur të gjitha të dhënat e komunikimit nga PL, si dhe të dhënat e kamerave të sigurisë, apo prova të tjera që mund të kenë pasur interes për SPAK. Nuk e vëmë në dyshim se mund dhe të jenë vjedhur, por fakti që ndodh në të njëjtën kohë lindin dyshime se Meta ka nisur manovrat.
Një lëvizje tjetër është se çifti Meta-Kryemadhi po shesin pronat. “Pamfleti” ka siguruar deklarimin e pasurisë së bërë nga Monika Kryemadhi pranë ILDKP për vitin 2022. Bie në sy se Monika Kryemadhi ka shitur 3 apartamente. Disa vite më parë, bashkëshortja e Ilir Metës deklaroi se kishte përfituar 13 apartamente nga ndërtimi i një pallati në tokën e saj. Çdo vit Monika del e deklaron se shet apartamentet, të cilat duket se s’kanë fund. Por, ajo që bie në sy është se Kryemadhi ka deklaruar vlera shumë të ulta të apartamenteve.
Kryemadhi ka shitur një apartament 92 metër katror me vlerën 61,506 euro. Apo një tjetër 60 mijë euro. Po ashtu, Kryemadhi ka nisur të shpërndajë paratë. Ajo ka deklaruar në ILDKP se ka dhënë 20 mijë euro borxh.
Ndërkohë, vetë Ilir Meta duket se tani ka mbetur i papunë. Ai ka deklaruar vetëm pagën që mori si President./Pamfleti
Lini një Përgjigje