E vrarë nga dora kriminale e grupeve mafioze në Prishtinë, si një kalimtare e rastit, Zejnie Gashit ju dha lamtumira e fundit me pjesëmarrjen e familjes dhe miqve. Tri ditë pas vrasjes së saj në arrati janë katër persona të dyshuar... Qytetarët e Prishtinës po jetojnë nën ankth e frikë të rrezikuar nga plumbat ndërmjet këtyre grupeve...
Kosova u trondit sërish nga përplasjet me armë ndërmjet grupeve kriminale që qarkullojnë të lira, me përqendrim në kryeqytetin e saj, Prishtinë.
Plumbat e shkrepur ndërmjet këtyre grupeve, në mbrëmjen e së martës morën jetën e një kalimtareje të rastit, 48 vjeçares, Zejnie Gashi, e cila u varros dje.
Në njoftimin për vdekjen e saj nga ana e familjarëve u tha se ajo u vra nga grupet mafioze, gjë të cilën asnjëherë nuk po e thonë institucionet e Kosovës, ndonëse e ndjera Gashi nuk është e vetmja në Prishtinë që vdes nga përplasjet mes bandave.
“Më datën 27.03.2024, nga dora kriminale e grupeve mafioze në Prishtinë, si një kalimtare e rastit, u vra motra jonë”, thuhet në njoftimin e familjes. Por, asnjë nga krerët e shtetit; si kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, ministri i punëve të Brendshme Xhelal Sveçla nuk e dënuan aktin. Asnjë deklaratë shtypi, heshtje nga shteti.

Konflikti nisi mes Fitim Dodës i njohur me nofkën “Cuci” dhe vëllezërve Ahmet e Naim Berisha në lagjen Kolovica, ku mbet i vrarë gjithashtu edhe 30 vjeçari Egzon Haziri nga Podujeva. Ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Haziri ndodhej në veturë me Fitim Dodën dhe disa të tjerë.
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim si të dyshuar për vrasje të rëndë katër persona; Fitim Doda, Arjan Sijarina, Ahmet Berisha dhe Naim Berisha.

“Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personave të dyshuar”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
Ndonëse janë ndërmarrë një sërë veprimesh nga ana e policisë, kërkimi i vazhdueshëm, bastisja e disa lokacioneve etj., autoritetet konfirmojnë për Pamfletin se personat e dyshuar vazhdojnë në arrati.
Po bëhen tri ditë që kur këta katër persona janë shpallur në kërkim dhe janë ende të pakapshëm nga forcat e rendit.
Në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2023 nga të shtënat me armë në lokalin Bon Vivant në mes grupeve mafioze mbeti pa shenja jete Kastriot Ramadani, ndërsa 17 të tjerë të plagosur.
Andi Pajaziti i njohur me nofkën “Italiani” është i dyshuari kryesor për vrasjen e rëndë që ndodhi me 4 gusht në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.
29-vjeçari edhe më parë ishte i njohur për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë. Por, ai gjithmonë lirohej nga akuzat që i ngriheshin dhe vepronte si një grup i rrezikshëm kriminal në Prishtinë.
Pra, një person që ka përmbi 50 padi, sillet i lirë edhe me armë, dhe ka qasje të lirë kudo. Pas këtij rasti, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama doli me deklaratën se ka informacione nga Policia e Kosovës, se pas mesnatës në kryeqytet çdo e dyta ose e treta veturë që kalon nëpër rrugët e kryeqytetit është e armatosur. Aksioni i nisur për kontrollimin e veturave dhe sekuestrimin e armëve pa leje pas thirrjes së kryetarit Rama zgjati përkohësisht.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës për vitin 2023, numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar ngritje për 38.09 për qind.
Ndërsa, janë konfiskuar 37,215 sasi të municionit të kalibrave të ndryshëm dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022 është shënuar një ngritje për 24.45%. /Pamfleti


Lini një Përgjigje