TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia25 Mars 2024, 10:03

Kaos në Spitalin e Traumës: ish-deputetja Edlira Bode largon mjekët më të mirë

Shkruar nga Pamfleti
Kaos në Spitalin e Traumës: ish-deputetja Edlira Bode largon
Edlira Bode /

Drejtoresha e katapultuar nga Devolli në një spital elitë, për interesa apo teka të saj, shkatërron një strukturë profesionale që është nga më të mirat në vend...

Kaos në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ish-deputetja e PS-së, Edlira Bode, që është emëruar drejtoreshë pasi la mandatin, ka ndryshuar totalisht hierarkinë profesionale të këtij institucioni unik shëndetësor në vend.

Bode, ka mënjanuar mjekët më të mirë, të specializuar në universitetet më me emër të Evropës e SHBA-së, e me një eksperiencë të gjatë, duke i zëvendësuar me miq, militantë, por edhe me taraf të sajin.

Ky akt i drejtoreshës që u katapultua nga Devolli në një spital elitë, pa qenë asnjëherë mjeke aty, ka shkaktuar me të drejtë përplasje e polemika nga mjekë që janë edhe elita e shëndetësisë shqiptare.

Kjo, jo vetëm se kemi të bëjmë me një veprim arbitrar, por në radhë të parë është një shkelje e hapur e ligjit.

Spitali i Traumës, është një institucion kombëtar shëndetësor që ka varësi të dyfishtë nga ministria e Shëndetësisë, si dhe nga ministria e Mbrojtjes. Kjo për arsye, se një pjesë e mjekëve, janë kontigjent i Spitalit të dikurshëm ushtarak që u shkatërrua nga qeveria e Sali Berishës, e u vijua edhe nga qeveria e Edi Ramës.

Drejtoresha ish-deputete, që ka dy vjet në këtë rol, në vend që ta riorganizonte këtë institucion për ta bërë sa më efikas dhe funksional, ka krijuar një çorbë të vërtetë organizative.

Kjo shihet menjëherë sapo të shkelësh pavionet dhe mjediset e këtij institucioni, që ngjajnë me një kapanon gjigand ku mbretëron kaosi.

E nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ajo nuk u bazua asnjëherë tek profesionistët më të mirë, e tek ata mjekë që u përpoqën në vite e vite ta mbronin e ta shpëtonin këtë xhevahir të shëndetësisë shqiptare që prej vitesh.

Ajo mbajti njerëz të lidhur me pushtetin e vjetër që e shkatërruan Spitalin Ushtarak, duke ja dhënë privatit një pjesë të saj, e që e kthyen atë në një grup mejhanesh në të gjitha pavionet e Spitalit.

Spitali Ushtarak është një institucion elitë i Shëndetësisë shqiptare që në kohën e komunizmit. Pas rrëzimit të diktaturës, mjekët e tij, u përshtatën menjëherë me sistemin e ri, duke krijuar lidhje me NATO-n.

Ishte Aleanca Atlantike, që me vite e vite, ka shpenzuar miliona jo vetëm për të pajisur spitalin, por në radhë të parë, për të trajnuar e specializuar mjekët e këtij institucioni.

Thuajse të gjithë mjekët e Spitalit Ushtarak u specializuan në universitetet më të mira të mjekësisë ushtarake në SHBA, Gjermani, apo vende të tjera të Evropës.

Mjekësia ushtarake është mjaft specifike, pasi konsiston në një trajtim për diagnoza që vijnë nga lufta, plagët me armë, por në radhë të parë, për të trajtuar pacientin në një situatë emergjence dhe traumatike. Ka qenë pikërisht kjo aftësi e mjekëve të Spitalit Ushtarak që ka sjellë nga NATO, një vlerësim me notë të lartë të tij, duke e cilësuar një nga më të mirët në Ballkanin Perëndimor.

Por Fatmir Mediu kur ishte ministër i Mbrojtjes, e hoqi këtë institucion nga organika e ushtrisë, e ja dha Ministrisë së Shëndetësisë, për ta çuar një pjesë te private. Kjo shkaktoi revoltë tek mjekët më të mirë të institucionit, të cilët janë nga më të specializuarit në vend. E që bënë gjithçka për ta mbrojtur. Edi Rama dhe Ilir Beqja, atë kohë në opozitë, e vizituan spitalin dhe u premtuan mjekëve se do ta shpëtonin atë kur të vinin në pushtet, gjë që s’ndodhi.

Madje, edhe fondet që vetëm mjekët i kishin përfituar nga partnerët e NATO-s e që u lëvruan në një kohë të më vonshme nuk dihet se ku përfunduan.

Nga ky spital ka dalë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ka qenë drejtor i Spitalit të Traumës dhe duhet thënë se arriti të mbajë fort bërthamën e profesionistëve. Duke sjellë edhe fjalën e fundit të aparaturave diagnostikuese, e duke larguar mejhanet që drejtori i Berishës e kishte mbushur Spitalin Ushtarak. Presidenti Begaj, si dhe një numër i konsiderueshëm i mjekëve të Spitalit të Traumës, ishin ushtarakë me grada, duke ruajtur kështu një bërthamë të profesionistëve të lidhur me ushtrinë.

Sidomos në një kohë si kjo e sotmja, ku lufta është në prag, e Shqipëria është kthyer në një bazë taktike e NATO-s, spitali ushtarak është një imperativ, që duhet kthyer menjëherë. Por çfarë bën drejtoresha ish-deputete; për interesa apo teka të saj, shkatërron një strukturë profesionale që është nga më të mirat në vend./Pamfleti

edlira bode spitali i traumës kaos largohen mjekët më të mirë

Lini një Përgjigje