
Mediat greke kanë shkruar mbi deklaratat e kryeministrit Edi Rama mbrëmjen e djeshme, për fitoren e Fredi Belerit në Himarë. Ato shkruajnë se Rama ka pranuar fitoren e Belerit, edhe pse ndoshta ky rezultat nuk u pëlqen.
"Gjatë një konference për shtyp për rezultatet e zgjedhjeve bashkiake në Shqipëri, ku Partia Socialiste që ai drejton fitoi 55 nga 61 bashkitë në të gjithë vendin, Rama e cilësoi rezultatin e kutive të votimit në Himarë si “të qartë”, duke thënë se “edhe nëse nuk na pëlqen” siç u shpreh ai në mënyrë karakteristike.
Ky qëndrim ndoshta paralajmëron synimin e Ramës dhe Partisë Socialiste për të mos vijuar me kundërshtime dhe rinumërime, duke vënë në pikëpyetje diferencën prej 19 votash në favor të Belerit. Megjithatë, të shumtë janë ata që besojnë se kryeministri shqiptar, kundërshtar i vendosur i kryebashkiakut të ri, do të zbatojë një plan “peng” për Belerin, nëpërmjet instrumentalizimit të drejtësisë, për ta penguar atë të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut"- shkruan gazeta greke Protothema.
Ai tha gjithashtu se procesi zgjedhor dhe numërimi i votave në Himarë është bërë pa probleme dhe transparente, me praninë e diplomatëve grekë si vëzhgues dhe të mediave greke dhe shqiptare, shkruan ERT.
Nga ky proces, tha ai, ka rezultuar edhe fitorja e kandidatit kundërshtar të qeverisë.
Duke iu referuar drejtësisë shqiptare, ai tha se pavarësisht problemeve që ka, ajo nuk mund të vihet në dyshim dhe të vihet nën presion nga askush, sidomos nga aktorë të huaj, duke nënkuptuar kërkesat greke për njohjen e provave inkriminuese në çështjen Beleri.
Edi Rama nxitoi të vuri në dukje se në Shqipëri nuk ka dy lloje drejtësie, një për shtetasit shqiptarë me kombësi shqiptare dhe një për shtetasit shqiptarë dhe grekë me kombësi greke, theksojnë mediat fqinje.
Lini një Përgjigje