
Kandidati i PS, Edison Memolla ka fituar për të dytën herë bashkinë e Rrogozhinës ndaj kandidatit të koalicionit "Bashkë Fitojmë" Shkëlqim Hoxha.
Në një prononcim për mediat, Memolla u shpreh se këto 2 muaj shërbyen si një reflektim për të mësuar nga gabimet që u bënë në 14 maj. Ai tha se zotimi i tij është kthimi i Rrogozhinës në një qytet elitar.
“Kam një falënderim për popullin e Rrogozhinës të majtë e të djathtë që më besuan, ju jam mirënjohës atyre për të gjithë mbështetjen, të gjithë bashkëpunëtorët e mi dhe familjarët e mi. Surpriza nuk kishte ne morëm mesazhin e 14 majit, për defektet që kishim dhe tani mësuam nga gabimet dhe në këto 2 muaj punuam fort. Kishim mundësi të rikuperonim dhe të kërkonim ndjesë. Rezultati tregoi që ja dolëm. Kjo tregon që programi ynë ka qenë më i mirë se programi i atij tjetrit. Gjatë kësaj kohe ka qenë një fushatë shtëpi më shtëpi, ka qenë kjo gjë që ne na kanë ndikuar. Kanë qenë dy muaj punë intensive duke kërkuar dorën e bashkëpunimit për ta kthyer në punë. Zotimi im më i madh kthimi i Rrogozhinës në një qytet elitar.", tha Memolla.
Kujtojmë se ditën e djeshme më 23 korrik, në Rrogozhinë janë ripërsëritu zgjedhjet për kryetarin e kësaj bashkie.
Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve u mor pas padisë së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, që kontestonte rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe vendimin e KAS për njohjen e tyre. Ishte Kolegji Zgjedhor që vendosi ripërsëritjen e tyre, duke qenë se pas rinumërimit të kutisë së burgut, doli se rezultati ishte shumë i ngushtë.
Në zgjedhjet e 14 majit në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues. Edison Memolla i Partisë Socialiste fitoi me 5129 vota përkundrejt 5108 vota të Shkëlqim Hoxhës të ‘Bashkë Fitojmë’, me vetëm 21 vota diferencë.
Por këtë herë duket se qytetarët kanë votuar ndryshe, ndoshta duke parë dhe rezultatin e 14 majit në rang kombëtar.
Lini një Përgjigje