TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Prill 2023, 17:20

Fatura e arbitrazhit është 392 mln Euro!

Shkruar nga Pamfleti
Fatura e arbitrazhit është 392 mln Euro!
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se Shqipëria detyrohet që të paguajë 392 milionë Euro për shkak të gjyqeve që ka humbur në Arbitrazh.

Kryesori është gjyqi me biznesmenin italian, Francesco Becchetti që Edi Rama thotë se nuk e njeh procesin dhe se mund të nxjerrë Shqipërinë nga juridiksioni i kësaj gjykate. Për situatën e krijuar, Tabaku drejton gishtin e fajit nga Edi Rama.

“Arsyet e kësaj shifre marramendëse lidhen me mënyrën se si qeveria ka trajtuar kontratat publike. Aty ku i ka interesuar ka shpërfillur çdo logjikë ligjore duke i çuar palët në Arbitrazh ndërsa tek rasti inceneratorit dhe pagesës së tij e përdor Arbitrazhin si alibi për të vazhduar kontratën 430 mln euro!

Arroganca dhe mendjelehtësia se askush nuk do japë llogari për abuzimet me taksat e qytetarëve që merren për të shlyer detyrimet e keq qeverisjes do paguhen një ditë. Sa më shumë shtyhet afati aq më e lartë kamata!

Për 3 dekada prania në gjykatën e Arbitrazhit na ka dhënë dhe i ka dhënë siguri palës tjetër. Përpjekjet për të ikur nga kjo gjykatë tregojnë përbuzjen e një qeverie për sundimin e ligjit dhe respektimin e pronës edhe sipërmarrjes” tha ajo.

Gjykata e Londrës vendosi që Tirana kishte abuzuar me procedurën gjyqësore për rastin Becchetti. Pasi Shqipëria nuk ishte në gjendje t’i justifikonte, Interpol tërhoqi mandatet e arrestit kundër Becchetti-t e De Renzis. Tani vendimi i vitit 2019 bëhet përfundimtar dhe qeveria shqiptare duhet t’i paguajë 120 milion Becchettit dhe personave të tjerë të prekur.

Pas marrjes së vendimit ka reaguar edhe vetë Becchetti, i cili tha se ishte akuzuar padrejtësisht dhe kërkoi nga kryeministrja e italiane Meloni që të ndërhyjë në mënyrë që qeveria shqiptare të paguaj shumën që i detyrohet.

“Rama dhe qeveria e tij kryen ndaj meje një nga aktet më të këqija të persekutimit politik në historinë e sotme evropiane dhe kanë trazuar jetën e familjes sime. Pres që Giorgia Meloni të ndërhyjë menjëherë që Rama dhe qeveria e tij të ndërpresin menjëherë persekutimin e të paguajnë dëmshpërblimin që detyrohen”, tha Becchetti.

fatura e arbitrazhit jorida tabaku

Lini një Përgjigje