Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar situatën politike në vend, teksa e ka ndalur theksin tek vizita e nesërme e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Shqipëri, dosjet korruptive që po heton Prokuroria Speciale (SPAK) dhe zhvillimet brenda opozitës.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi tregon pse po vjen Blinken në Tiranë dhe mesazhin e rëndësishëm që mund të japë Sekretari Amerikan. Po ashtu, i pyetur a është thyer miti i pandëshkueshmërisë në Shqipëri, ai thotë se jo, pasi në vendin tonë ka shumë të korruptuar dhe se sipas tij, është koha që ata të shkojnë të gjithë para SPAK dhe të japin llogari për zullumet.
Ndërkohë ish-kreu i SHISH zbulon arsyen pse SPAK po godet më shumë nga qeveria “Rama”. Nga ana tjetër, zoti Klosi shpreh bindjen se protesta e thirrur nga Rithemelimi i Berishës më 20 shkurtit do dështojë.
-Zoti Klosi, u bënë disa muaj që në Parlamentin, po shohim të njëjtat skena, tensioni e kaosi dhe së fundmi edhe në komisionin e Reformës Zgjedhore. Ju si e vlerësoni këtë situatë? Kush mendoni se e ka fajin lidhur me këtë situatë?
Është një situatë e natyrshme, Partia Demokratike s’është më ajo që ka qenë dhe se ka forcën që të mbledh njerëz jashtë parlamentit. Njerëzit e panë që Berisha s’ishte ai njeri që kishte ide, por ishte një njeri që kishte interesat e veta. Nisur nga kjo numri që e përkrahin tani është më i vogël se sa ka qenë më parë. Edhe brenda Partisë Demokratike, ata nuk kanë lënë më gjë pa thënë për njëri-tjetrin dhe kanë krijuar idenë tek populli se këta njerëz shohin vetëm interesin e tyre dhe se kanë hallin tek gjoja sipas tyre regjimi që kemi në këtë vend.
Meqenëse nuk kanë përkrahje jashtë parlamentit, i ka ngelur vetëm deputetët që janë rrogëtarë. Kjo që po ndodh në parlament është e vetmja gjë që ata mund të bëjnë. Nuk bindin dot më njerëz që të bëjnë ato që bënin më parë në protesta dhe tani janë detyruar deputetët që të bëjnë atë që sipas tyre quhet mosbindje civile. I vetmi vend ku kanë të drejtën të futen dhe të flasin është parlamenti.
Mesa duket ata do vazhdojnë kështu, jo vetëm që tregojnë se janë për interesat e tyre, por po tregojnë se s’ janë ata njerëzit që duhen nderuar dhe dëgjuar. Për ta parlamenti është terren ku ata mund të thonë se kjo është mosbindja civile dhe kështu si ne duhet që të bëjnë edhe të tjerët. Berisha është duke i mburrur deputetët që bëjnë këto veprime.
-Megjithatë të jemi të sinqertë, sherret dhe akuzat për Reformën Zgjedhore duket se janë shou i radhës. Sa herë ka zgjedhje tentohet të ndërhyhet në Kodin Zgjedhor dhe në fund bëhen disa ndryshime pa vlerë në fund. Sistemi zgjedhor nuk preket, ai i cili mund të sjellë ndryshim. Po ashtu është folur për votën e emigrantëve, votë e cila mundtë bëjë diferencë në zgjedhje. Por duket se as kjo nuk ka për të ndodhur. Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Luksemburg e bëri të qartë se vota e emigrantëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është e vështirë të realizohet. Shkak për kreun e qeverisë shqiptare lidhet me mungesën e të dhënave të plota të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Keni një koment dhe si do veproni ju?
Mua do të më pëlqente që të ishte vota e emigrantëve, sepse kanë kontribuar në këtë vend. Kam idenë që duke jetuar në vende më të zhvilluara që dhe ne i kemi në një farë mënyre zili, ata kanë një vizion më të qartë, për zgjedhjet, demokracinë. A ka probleme teknike? Sigurisht, por që nuk janë të pazgjidhshme. Problem janë edhe listat, të hapura apo të mbyllura. Për mua do ishte mirë që të kishte listat të hapura, sepse do ti jepej mundësia njerëzve që të vendosnin se për kë do të votojnë. Listat kështu si janë sot mund të bëjnë që më parë të dihet se kush do të zgjidhet. Kështu që vendet e para që janë bërë në zyrat e partive janë ato që zgjidhen.
Deputetët duhet që të jenë ata që vendosin në emër të popullit, që bëjnë ligje, votojnë. Fakti që Partia Demokratike, ata që janë të rithemelimit po e pengojnë parlamentit dhe po kërkojnë vendin e bashkëkryetarit të komisionit që mendoj se s’ka asnjë vlerë. Berisha po e pengon hapur mesa duket me këto që po bënë sepse zgjedhjet erdhën dhe janë diku tek 6 ose 7 muaj janë në dispozicion të parlamentit për të bërë ndryshimet.
-Ndërkohë raporti i “Transparency International” që doli pak ditë më parë, nuk ishte parë që nga 2016, kur nisi reforma në drejtësi dhe perceptimi i qytetarëve është pro organeve të drejtësisë. Është bërë punë vërtetë nga ana e SPAK sipas jush?
Problemi themelor i reformës ishte eliminimi i pandëshkueshmërisë. U shpresua se reforma do të merrej me njerëz të rëndësishëm, sepse gabimet e tyre dhe fajet e tyre ndikojnë më shumë në historinë e vendit sesa fajet e njerëzve të zakonshëm. Partnerët tanë që luftuan me PS arritën që ti mbledhin dhe ti bëjnë bashkë 140 deputetët që votuan për ndryshimet që të bëhej reforma.
Njerëzit u ankuan në fillim që reforma nuk po fillonte, pastaj që po ecte ngadaltë, por kohët e fundit kemi parë përpjekje për të hetuar edhe akuzuar edhe njerëz të rëndësishëm. Shumica janë nga qeveria që është në fuqi, sepse është më e lehtë dhe faktet janë më të kollajta dhe më të freskëta. Kemi edhe raste pastaj nga pala tjetër dhe deri tani kjo është parë si diçka e re që nuk ka ndodhur më parë. Nëse vazhdon kështu është një hap i madh, pastaj do ta shohim si do ecë. Ka akoma punë për të bërë.
-Mendon se është thyer miti i pandëshkueshmërisë në Shqipëri? A mund të flisni ju me emra kush duhet të shkojë me burg nga politikanët dhe kushdo që është përfshirë në afera korruptive dhe kriminale?
Nuk është thyer. Këto janë rastet e para, fenomeni është shumë i përhapur. Besoj se ka emra të tjerë, sepse nëse s’ka atëherë i bie se s’kemi bërë asgjë. Nuk janë këta kryesorët, një ish-ministër i Mjedisit për inceneratorët, ish-zv/kryeministri, një ish-ministri i Mbrojtjes për Gërdecin, pra numërohen me gishta. Nuk janë këta vetëm që kanë bërë që korrupsioni të përmendet si një nga dukurit më të vështira për një vend si ne. Unë besoj se ideja e pandëshkueshmërisë do të eliminohet kur të dalin edhe të tjerë emra, sepse nuk besoj se janë kaq pak.
-Po protestën e 20 shkurtit të thirrur nga Berisha dhe grupi i tij si e shihni. Pse ai po proteston?
Unë nuk shoh asgjë në atë protestë. Ata po përpiqen, por jam i sigurt që do të dështojnë, sepse nuk kanë më mbështetje. I zhgënjyen shumë njerëzit e tyre, ata që i shkonin nga pas. Nuk do jenë të zotë për të mbledhur njerëz për të bërë atë që duan të bëjnë.
-Çfarë pret që të ndodh me dosjet që po hetohen në ngarkim të Ilir Metës, sikundër ashtë afera “CEZ-DIA” dhe ajo e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Në fakt lobimet janë gjëra të fshehta. Këto lobimet kanë qenë gjithë kohës. Të gjithë janë përpjekur që të lobojnë. Ne kemi dal vonë në këtë tregun e madh të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të personazheve të rëndësishme dhe e kemi akoma si fenomen që influencon, doli në foto me këtë me atë. Ndërsa, në vende të tjera nuk janë kaq të rëndësishme fenomenin e lotimit.
-Po vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë, si e shihni?
Duket një vizitë interesante. Shqipëria ka marr një pozicion të spikatur dhe kam përshtypjen se ai vjen për të mbështetur vendin më shumë, po ashtu edhe rajonin, për të treguar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin rajonin. Është diskutuar se në kuadrin e luftës në Ukrainë mund të jetë Ballkani Perëndimor një rajon ku ata mund të gjejnë terren për të hapur një problem tjetër në rajon./Sot
Lini një Përgjigje