
Në momentin që do të duhej të mbylleshin të gjitha qendrat e votimit, një përplasje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, pranë një zyre te shkolla “Petro Nini”.
PD pretendon se ka zbuluar një zyrë informale të PS, e cila ishte e pa loguar dhe shumë pranë qendrës së votimit. Aty ka pasur njerëz me laptopë dhe dokumente, të cilët janë larguar me vrap.
Në zyrë shkoi më pas Erion Braçe, duke pretenduar se kjo ishte zyra e tij elektorale. Kjo soli përplasje dhe tensione me Belind Këlliçin, Tedi Blushin dhe Adriana Kalanë. Më pas policia rrethoi zyrën dhe mbërritën oficerë të policisë gjyqësore, të cilët kryen verifikime dhe kontrolle.
Pas më shumë se 1 orë, nga zyra doli Erion Braçe, i cili u drejtoi gazetarëve një qese me kokoshka. Sipas tij vetëm ajo u gjet. Ai hodhi akuza se PD ka ngritur një strukturë për të penguar specialistët të votojnë.
“Pas 60 ditësh e gjeni në KQZ, s’jeni interesuar për 6 mln euro, interesoheni për një zyrë pune. Pas 60 ditësh në KQZ e keni, ua deklaroj unë. Prisni rezultatin tani ju e gjithë Belindat. Janë gjetur këto, kokoshkat. Të gjithë njerëzit që u larguan kush janë? Janë të gjithë shokët e mi. Doni ca kokoshka?! Është një përpjekje e një bande kriminale dhe strukture kriminale që është shfaqur në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë këto 3 ditët e fundit. Është pjesë e strukturës kriminale që kanë dashur të mbyllin socialistët në shtëpi. E pyeta Këlliçin nëse ka një pretendim, nëse kam blerë vota, jo më tha. Për ditë të dielë s’ka punonjës shteti", u shpreh Braçe.
Pas largimit të Braçes, aty shkuan Belind Këlliçi dhe Adriana Kalaja. Ata akuzuan Braçen se ka ngritur një zyrë për të tjetërsuar votat.
“Jemi këtu para një skeme krimi ku ditën e sotme rreth orës 17.00 pasdite kemi marrë sinjalizim se kjo që u provua si e tillë ishte një zyrë elektorale e paloguar dhe e padeklaruar e PS. Kemi marrë një raportim që në këtë ambient kryhej krim elektoral, krim zgjedhor duke dhënë para në këmbim të votave dhe duke qenë se kemi marrë këtë indicie, kemi ardhur personalisht, kanë ardhur edhe simpatizantë të PD për të bërë kqyrjen e për të parë a kishte njerëz apo jo. Në momentin e parë që kanë mbërritur, ka qenë dhe gazetarja, zonja Ambrozia Meta që ka asistuar live pamjet, pasi dera ka qenë e hapur dhe brenda kanë qenë punonjës të shtetit, deri tani kemi identifikuar tre prej tyre...”, tha Këlliçi.
Lini një Përgjigje