
Siç mësohet, jo vetëm idea e shtetit, por edhe ruajtja e Qendrës Botërore të Bektashinjve në Tiranë ka ardhur nga SHBA.
Në fillim, New York Times, e më pas salla kryesore e OKB-së. Edi Rama, shpalli para gjithë botës se jo vet;m që ka një ide për të bërë “shtetin bektashi”, por që do ta bëjë. Askush nuk po e kupton se pse Edi Rama e hodhi një ide të tillë, që natyrshëm do të shkaktonte një uragan kundërshtimi, madje në shumicë nga votuesit e Partisë Socialiste.
Që sipas gjasave do të vijë të zgjerohet edhe më shumë, pasi në Shqipëri përbën tabu krijimi i një shteti tjetër, ngaqë shihen e ngjallen fantazmat e vjetra të Republikës së Himarës, Republikës së Mirditës, shtetit të Vorio Epirit, etj etj.
Rama, e çdokush që hap një temë të tillë, do të ketë kundër çdo kënd që mendon me mendje të tij. Po pse atëherë Edi Rama, mori përsipër, madje ta shpallë vetë shtetin e ri në podiumin më të rëndësishëm të botës; Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së?
Shumë e thjeshtë! Sepse siç mësohet, jo idea e shtetit, por ruajtja e Qendrës Botërore të Bektashinjve në Tiranë ka ardhur nga SHBA.
Nuk është aspak e rastësishme që gazeta më e rëndësishmë në botë, ‘The New York Times’ hapi edicionin print me Baba Mondin.
Natyrisht bashkë me amerikanët këtu janë edhe izraelitët. Dhe gjithashtu nuk është rastësi që kjo shashkë shpërtheu fill pas vizitës së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog në Tiranë.
Në fakt, izraelitët prej kohësh janë kthyer në “shoqërues” të Baba Mondit në çdo zijafet publik, e kjo ka shkaktuar inatin e pafre të erdoganistëve. Të cilët kanë dashur ta akaparojnë kryegjyshatën si një kundërpeshë të Komunitetit Musliman Shqiptar që nuk e kontrollojnë.
Ndaj ka kohë, që ndaj Kryegjyshatës ka pasur presion të madh, aq sa i kanë hequr akreditimin në të gjitha qendrat Shiite, apo edhe në zona të izoluara të vendeve të ndryshme sunite.
Baba Mondi, ka kohë që nuk merr ftesa për në super eventin e përkujtimit të Betejës së Qerbelasë në Irak, ku ka shkuar rregullisht, ndërkohë që është ndërprerë edhe programi i bursave për klerikë të rinj. Irani e ka bërë prej 6 vitesh. Kur këtu solli dy gazetarë të njohur shqiptar të Parstoday në gjuhën shqipe, që i sollën mesazhin se Bektashinjtë nuk kanë të drejtën të përfaqësojnë Imam Aliun.
Siç dihet, ai takim është konsideruar si kërcënim e akt terrorist, dhe inteligjenca e aleatëve e ka marrë në mbrojtje Kryegjyshatën.
Në këtë kontekst është menduar se nëse nuk ka akreditim nga shiitët, atëherë meqë në Shqipëri ndodhet qendra botërore e bektashinjve, kjo të marrë edhe një status special si një besim shqiptar brenda komunitetit global musliman, të cilin nuk mund të ja heqë njeri.
Pra ideja është e qartë, e nuk ka asnjë të keqe, sepse në fund të fundit, bektashinjtë shqiptarë janë e kanë qenë një komunitet special brenda kozmosit musliman.
Këtu duket është futur Edi Rama, me lobimet e marifetet e veta për të marrë protagonizmin, sepse natyrisht është në qeveri, e ajo që atij i vlen më shumë, ka gjetur kontaktin e duhur me amerikanët që nuk e qasin instucionalisht prej kohësh.
Dhe ka bërë të pabërën, duke e hedhur si shashkë, që të ziejë opinionin me idenë: e sheh i kam të gjithë kundra s’e bëni pa mua se unë rrezikoj lëkurën. Ja duan të më vrasin e përralla si këto duke bërë viktimën.
E këtu duket se fle lepuri i prapaskenave diabolike të Ramës. Pasi ka folur jo për një status special, të cilin e ka Patriakana Ortodokse në Stamboll për shembull, por për një shtet.
Që sipas gjasave nuk do të jetë kurrë shtet, e as mundet të bëhet. Siç, bektashinjtë nuk do të kenë as pasaporta, kufij apo shërbim sekret.
Por pa dyshim që mund të kenë një fond, një institucion financiar, ndoshta, ndoshta edhe një bankë apo më shumë se kaq. Këtu fle lepuri i madh në shkurren e vogël.
Sepse në të vërtetë nuk është çudi që edhe sot e kësaj dite, komunitetet fetare e klerikale administrojnë fonde të majme, ku qarkullojnë transaksione të mëdha, që së paku janë të pataksuara.
Vetëm se këto transaksione kontrollohen ‘inçe për inçe‘ nga shërbimet sekrete më të mëdha të Perëndimit, që e dijnë nga vijnë e ku shkojnë paratë, e kush i zotëron.
Por, në një mekanizëm të ri, pak kaotik, i cili duhet të kolaudohet, mund të ketë lëvizje edhe jashtë kontrollit. Ndërkaq, nga ana tjetër Edi Rama mund të ketë negociuar për ta pasur në shtetin bektashi amnistinë fiskale që nuk e lejon BE. Që ta përdor si guackë ‘off shore’.
E këtu lindin dyshimet e shqetësimet e mëdha. Të cilat vështirësohen pasi duket se SHBA e Izraeli kërkon t’i japë një identitet politik shtetit bektashi, ku të strehohen jo vetëm muxhahidinët e Manzës, por edhe dizidentë të tjerë të ajatullahëve, apo proksive të tyre si Hejzbullahu a Hamasi. Apo kurdët peshmergë të Irakut e Sirisë për të cilët folën mediat britanike para disa ditësh, e që xhindosi Erdoganin.
I cili e takoi mbrëmë në Nju Jork Edi Ramën, jo sy më sy, por në prezencën e krahut të djathtë Hakan Fidan dhe kreut të MIT-it-shërbimit sekret turk, Ibrahim Kalin, i cili është edhe një nga strrategët politikë të sulltanit, por që shpesh ka këshilluar edhe Edi Ramën para fushatave elektorale.
Ka gjasa që Rama të ketë negociuar me sulltanin me qarjet e tij: “më kanë lidhur duart amerikanët” e gjëra të tjera, për të marrë edhe njëherë për mandatin e katërt xhematin erdoganist të Shqipërisë.
Kaq e thjeshtë është kjo e nuk ka lidhje me “Vatikanin shqiptar”. Vatikani apo shteti papal ka qenë historikisht dhe është edhe sot, qendra politike më e rëndësishme e botës Perëndimore.
Në mesjetë, ka pasur nën hyqmin e vet ushtri e administratë, si dhe shumicën e territoreve të Italisë së sotme. Ndërkohë asnjë mbret apo perandor i Europës nuk mund të kurorëzohej, nëse nuk donte Papa i Romës. Vetëm Elizabeta e madhe, refuzoi Papën dhe krijoi Kishën Anglikane, ndërkaq që Napoleoni i mori kurorën nga dora e Papa Piut të VII në katedralen Notre Dame të Parisit dhe e vuri vetë në kokë.
Vatikani edhe pse sot ka pak territor, e realisht vetëm një grup ushtarako- policor si Garda Zvicerane, është një qendër gjigande e influencës politike.
Kurse Baba Mondi e baba Edi, por edhe baba Likja, thjesht duan të ruajnë e të majmin prapanicën e tyre./Pamfleti
Lini një Përgjigje