
Deputeti dhe njëkohësisht kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi ka komentuar sulmet e përsëritura të Ilir Metës ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
Shehi i cilëson si “halle personale” ndërsa thekson nga ana tjetër se qytetarët duhet të mbështesin Prokurorinë e Posaçme, pasi sipas tij, është i vetmi institucion në vend që ka guxuar të hapë dosjet për të korruptuarit.
“SPAK duhet të vazhdojë të punojë. I dimë defektet që ka drejtësia, elementet që janë vendosur aty, por SPAK është i vetmi që po punon. Do ta shohim deri ku do shkojë, por deri më tani ka bërë diçka. Drejtësia ka defekte të tjera, me dosjet, por me këto nuk merret njeri. Qytetarët kanë halle të tjera, jo do të hyjë në burg Meta. Ky është kurioziteti shqiptar. SPAK duhet lënë i lirë, ata që e sulmojnë kanë halle personale. SPAK duhet mbështetur. Duhet të mbyllen edhe hallet e qytetarëve të tjerë, ajo është drejtësia e vërtetë. SPAK nuk ka bërë hata të madhe, por SPAK për herë të parë po hap disa dosje”, theksoi Shehi për Report TV.
Po ashtu, Dashamir Shehi tha se çdo lëvizje që bën opozita, forcon pushtetin e qeverisë Edi Rama. Sipas tij, Rama i ka dhënë më shumë pushtete Ilir Metës.
“Rama qëndron në pushtet, sepse opozita ka këto krerë. Rama ka 11 vite në pushtet, nëse do të kishte vullnet do t’i kishte goditur këta krerë. Meta është president i Ramës, kryetar i parlamentit të Ramës, bashke qeveritar etj. Kush e bëri? Rama e bëri president të Shqipërisë, ka qenë i interesuar që këta njerëz të jenë aty. T’i thotë elektoratit: Dëshironi këta njerëz, apo mua. I vetmi ortak që kanë të korruptuarit, kanë Ramën”, u shpreh Shehi.
Lini një Përgjigje