Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka ironizuar situatën e përmbytjeve në vend, ku mijëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë, duke e krahasuar me një lojë “kungulleshash” për shkak të ndryshimeve të TVSH-së dhe mosrealizimit të politikave për fermerët.
Në rrjetet sociale, ai shkruan se problemi i mosrealizimit të shpenzimeve buxhetore vazhdon prej 8 vitesh, duke theksuar se buxheti është në rrezik kur paratë nuk shpenzohen sipas planit.
Braçe kërkoi largimin e çdo zyrtari që nuk përmbush detyrimet e shpenzimit të fondeve publike, pavarësisht statusit apo postit.
Ai u ndal gjithashtu te skema e ilaçeve, duke deklaruar se është nën agresionin e personave që e keqpërdorin dhe se duhet rishikuar për çdo rast korrupsioni.
Braçe theksoi gjithashtu nevojën për një skemë të re subvencionimi për bujqësinë dhe rikthimin në shërbime publike të koncesioneve që përfundojnë këtë vit.
Ndërkohë në emër të çdo shqiptari, pavarësisht nëse jeton në veri a jug, fshat apo qytet, vitin e ardhshëm do të shpenzohen mesatarisht 343 mijë lekë. Pas maratonës së diskutimeve në komisionet, projektbuxheti dhe paketa fiskale me 8 projektligje dhe 72 ndryshime ligjore që shoqëron atë mori “dritën jeshile” në parim edhe në Parlament.
“Projektbuxheti 2026 mbështete mbi katër shtylla kryesore. E para është mbrojtja sociale E dyta është integrimi Europain. Shtylla e tretë është rritja ekonomike e qëndrueshme. E katërta është konsolidimi fiskal”, tha Petrit Malaj, ministër i Financave.
Për pagat, pensionet, ndërtuar rrugë, shkolla e ujësjellës, menaxhuar mbetjet apo për t’u mbrojtur nga zjarret e përmbytjet është planifikuar një buxhet prej gati 887 miliardë lekë. Ai është mbi 64 miliardë lekë apo 7.8 për qind se sa buxheti i vitit 2025 dhe gati 2-fish i madh se në vitin 2014.
“Projektbuxheti 2026, është kontrata e qeverisë me qytetarët, përmes së cilës synohet dhe do të garantohet rritja e mëtejshme e standardit të jetesës të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Malaj.
Pas 2 muajve mungesë, për t’i dhënë rëndësinë e duhur buxhetit mbi 9 miliardë euro, më të madhit në historinë e vendit... seancës maratonë iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama. Por prania e tij nuk u mirëprit nga demokratët. Pa Sali Berishën e pezulluar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit e që në ato momente gjendej në dyert e SPAK për “21 Janarin”, demokratët i kthen shpinën Ramës.
“Dhe të ankoheni për ligjin dhe të më ktheni mua kurrizin sikur nuk shkon, megjithatë faleminderit për këtë lehtësim që i bëni fjalimit tim se më mirë shpina se fytyra juaj”, tha Rama.
Një në tre lekë që do të shpenzohen vitin e ardhshëm do të shkojnë për “mbrojtjen sociale”. Nga rreth 9 miliardë euro në total që përllogaritet buxheti i vitit 2026, rreth 3 miliardë euro do të shkojnë për kategori të cilat kanë nevojë për “dorën e shtetit”. Kjo për Edi Ramën është shenjë e “fjalës së mbajtur”.
“Ky është një buxhet historik. Për herë të parë adreson në mënyrë të qëndrueshme përmes një angazhimi financiar afatmesëm prej 1.7 mld eurosh rritjen e mbështetjes së pensionistëve. E mira e kësaj pune është se fjalët i merr era, faktet mbeten”, u shpreh Rama.
Me Edi Ramën që e mbylli fjalën e tij dhe u largua nga seanca me urimin "Kështu me faqe për muri ju pafsha gjithmonë”, demokratët akuzuan se projektbuxheti de paketa fiskale e vitit të ardhshëm nuk kanë në epiqendër qytetarët në përgjithësi por vetëm një grusht njerëzish në veçanti.
“Qeveria shqiptare, e majtë në fakt, në vitin e 13-të të mandatit të saj nuk siguron dot një minimum jetik për qytetarët. Ky Parlament ka detyrimin që ta miratojë”, tha Jorida Tabaku.
“Ndërsa 50 miliarderëve në vend u falni 2 miliardë euro detyrime, pensionistëve po bëni sikur po u rrisni pensionin, duke u dhënë 100 mijë lekëshin që është dhënë gjithmonë si bonus në fundvit”, u shpreh Gazment Bardhi.
Para se të merrnin një përgjigje të karakterit ekonomik nga Ministri i Financave Petrit Malaj, deputetëve demokratë iu përgjigj politikisht kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla.
Lini një Përgjigje