TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Maj 2025, 18:54

Erion Braçe kritika qeverisë: Vendi nuk e meriton kaq korrupsion, arroganca duhet të shkojë në zero

Shkruar nga Pamfleti

Erion Braçe kritika qeverisë: Vendi nuk e meriton kaq korrupsion,

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i zgjedhur që nga viti 1996, tha se dashje pa dashje pas fitores bëhesh arrogant.

Braçe u shpreh gjithashtu se PS duhet të ndryshojë veten në katër vitet e ardhshme qeverisje, ku sipas tij duhet të ketë një qasje që të jetë sa më afër në shërbim të njerëzve, duke dëgjuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve.

Ai tha për “News 24” se arroganca duhet të shkojë në zero dhe përkushtimi duhet të shkojë në 100%. I pyetur se çfarë ka bërë keq deri më tani Partia Socialiste, Braçe u shpreh se lufta kundër korrupsionit duhet bërë akoma më mirë.

Ju si pozitë dhe PS, e patët më të lehtë për të fituar?

Problemi ynë nuk është opozita, jemi ne vetë. Nëse ne nuk korrigjohemi dhe nuk kemi një qasje të përulur, jo arrogante, në raport me njerëzit, sepse në disa raste jemi arrogantë, nuk mund të përmirësohemi. Nga unë i pari, deri ata që janë në krye, nganjëherë kemi qasje arrogante, ju del natyrshëm, edhe pse mundohemi të përmbahemi. Por nuk është ky thelbi i qeverisjes. Mendoj se qeverisja ka qenë bashkëpunuese dhe e përkushtuar e kështu me radhë, siç ka edhe të meta, që patjetër duhen korrigjuar, duhen të jetë thuajse zero në këtë mandat. Ky mandat, që është marrë me kaq shumë vota, duhet të shërbejë që të jemi gjithnjë e më shumë të përulur, në punë dhe të përkushtuar përballë problematikave, qoftë edhe një njeriu të vetëm. Mbi të gjitha, ky mandat duhet të shërbejë për të dëgjuar shumë e për të vepruar akoma edhe më shumë në raport me njerëzit.

Çfarë duhet të ndryshojë PS?

Veten. Pas 12 viteve në pushtet patjetër që është e domosdoshme të ndryshosh veten. Jo thjesht dhe vetëm si individë, sepse mund të ndryshosh deputetët apo drejtuesit e partisë në nivel qendror e lokal, mund të ndryshosh kryetarët e bashkive, gjithashtu edhe ministrat, por nuk ndryshon qasjen në raport me njerëzit. Ajo që duhet të ndryshojë është qasja. Arroganca duhet të shkojë në zero

Çfarë ka bërë keq deri tani Partia Socialiste?

Do thosha vetëm çfarë duhet të bëhet më mirë. Lufta kundër korrupsionit duhet bërë akoma më mirë. Është thelbësore që qytetarit i mungojnë shërbime publike dhe të mira, ajo që nuk meritojnë është korrupsioni. Kemi bërë një hap të madh dhe kemi lënë drejtim të veprojë drejtësinë, kemi hequr çdo lloj mburoje politike për çdo anëtar të PS në secilin nivel të qeverisjes dhe i kemi lënë të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë nëse kanë një akuzë penale. Kjo është një qasje që më herët nuk ka ekzistuar në Shqipëri. Është një gjë pozitive që po ndodh në këtë vend. Ama, kjo është vetëm drejtësia penale, ajo që neve na intereson është drejtësia sociale, që buron në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mënyra se si ti e ushtron pushtetin.

Lini një Përgjigje