Nga sot, shqiptarët e Greqisë dhe Italisë do të jenë të parët që do të marrin fletët e votimit dhe do të kenë mundësinë të votojnë me herët se të tjerët. Ndaj dy liderët e partive kryesore nuk do të humbasin kohë që të rifreskojnë premtimet e tyre përpara diasporës.
Edi Rama dhe Sali Berisha do të fluturojnë sot drejt veriut të Italisë për të bindur emigrantët t’i votojnë ata. Të dy do të vendosen në veri, rreth 100 km larg njëri-tjetrit, një distancë që mund të arrihet për 1 orë me makinë.
Madje si kryesocialisti, ashtu edhe kryedemokrati, i kanë mitingjet shumë afër edhe në orar. Edi Rama do i takojë i pari të tijët, në Milano, në orën 15:00, ndërsa një orë më pas, në 16:00, mbështetësit e Berishës do të mblidhen në Brescia.
Pakot e para zgjedhore do të mbërrijnë me postë në fillim në dy vendet më të afërta fqinje.
Praktikisht votat e hershme të diasporës që për herë të parë voton përmes postës, do të plotësohen nga 15 prilli, deri më 5 maj.
Në Itali janë regjistruar afro 90 mijë votues nga jashtë, ndërsa numri total i personave që ju dërgohet fleta e votimit në emigracion, është 245 953.
Socialistët e zhvilluan dje mitingun hapës të fushatës mesditen e këtij 12 Prilli në sheshin ‘Skënderbej’, në mesin e të cilit ku ishin vendosur 12 yjet e flamurit europian.
Fjalës së 12 drejtueseve politik i parapriu një element artistik, karakteristik për 12 qarqet e vendit.
Pas 12 vitesh në pushtet socialistët kërkojnë që të marrin një mandat të 4 nën sloganin Shqipëria 2030 në Europë vetëm me Edin dhe Partinë Socialiste.
Vetë kryesocialisti prezantoi dhe këngën e fushatës e kënduar nga reperi Noizy me titullin “Tungjatjeta”.
Ndërkohë PD-ja, e ka çelur fushatën me një tubim që u mbajt në Sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet me 11 Prill.
Kësaj here u prezantua me një skenografi krejt ndryshe me praninë e drejtuesit të fushatës Chris LaCivita që ishte pjesë e ekipit të Presidentit Trump.
Në hyrje të bulevardit që të çon në Sheshin “Nënë Tereza” u vendosën 11-të 1-sha që simbolizojnë edhe numrin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në fletën e votimit.
Të gjithë kandidatët ishin të vendosur të ulur në karrige dhe përkrah Sali Berishës ishte drejtuesi i fushatës së tij Chris LaCivita.
Lini një Përgjigje