
Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 11 majit me një takim të organizuar në Sheshin Skënderbej, një ditë pasi kryesocialisti Edi Rama u takua me gratë dhe vajzat socialiste, që i konsideroi si garancinë më të madhe që kjo parti ka në fitimin e betejave zgjedhore.
Në mitingun e hapjes së fushatës, të pranishmëve do tu drejtohen me mesazhe drejtuesit politikë në 12 qarqet e vendit, ndërsa në fund do të jetë Kryeministri Edi Rama që do të mbajë fjalimin përmbyllës.
Pak minuta përpara nisjes së mitingut të hapjes së fushatës, Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video, ku ai provon një palë atlete, ku dallohet i stampuar nr 5. Në këtë mënyrë, krahas kapeles dhe bluzave me numrin 5, Edi Rama ka zgjedhur edhe një palë atlete që ka nr.5.
Partia Socialiste dhe Edi Rama kërkojnë mandatin e 4-t rradhazi qeverisës në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa Kryeministri ka deklaruar se fitorja është e sigurtë. Ai ka përcaktuar si objektiv për zgjedhjet e 11 majit mbështetjen me 1 milionë vota, të cilat PS nuk i ka arritur asnjëherë e vetme, edhe pse në 2013 kohë kur mori mandatin e parë si Kryeministër, u votua nga 1 mln qytetarë, por ishte në koalicion me parti të tjera, përfshi edhe LSI e Ilir Metës.
Partia Socialiste renditet e 5-ta në fletën e votimit, ndërsa Edi Rama kryeson listën e kandidatëve për deputet në Qarkun e Tiranës. Pjesën më të madhe të grupit parlamentar socialist, Rama e ka kandiduar në listën e hapur, çka shumë nga emrat rrezikojnë që të jenë pjesë e Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Lini një Përgjigje