TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Korrik 2025, 13:15

Edi Rama ‘mprehu shpatën’ dhe një herë për situatën/ Kujt ka ndërmend t’ia falë Thethin?

Shkruar nga Pamfleti

Edi Rama ‘mprehu shpatën’ dhe një herë për

Lajmi se ‘naltgjatësia’ e tij, Edi Rama, doli në terren dhe po bën namin me çadrat e lokaleve, i kaloi kufijtë e Shqipërisë dhe bota mbarë mori vesh që këtu, fituesi katër herë rresht i zgjedhjeve, po vepronte me ‘dorë të hekurt’.

Teksa jepte urdhra për shkarkim drejtorësh (shyqyr që nuk i tha mendja të shkarkonte edhe kryebashkiakët, se ata me demek i ka zgjedhur populli), kryeministri çon fadromat në Teth.

Disa ndërtesa lehtësisht të çmontueshme, pasi nuk kishin themele betoni, duhet të hiqeshin qafe. Për sa kohë janë pa leje, jemi dakord….edhe pse duket sikur Edi është ‘në mall’ të Kristaqit (të ndjerë) për mënyrat që gjen.

Por duke qenë se jemi dëshmitarë ndër vite të mënyrave që gjen Rama për të bërë pisllëqe, kjo situatë na duket e ngjashme. Që kur ishte kryetar bashkie i Tiranës (edhe nga aty iku kur deshi vetë), stili ‘pastro dhe ndërto’ ishte shumë i njohur.

Për shembull, Rama hiqte kioska dhe qytetarët gëzoheshin për momentin se gjoja po punohej, por në një kohë rekord, shihje të ‘mbinte’ një pallat shumë-katësh që të zinte jo vetëm Diellin, por edhe frymën.

Kështu vazhdoi për vite me radhë dhe këtë bëri edhe kur u bë kryeministër. Është si një lloj Robin Hoodi i të pasurve: Ua vjedh fakirëve, t’ua japë zengjinëve.

Ndaj pyetja që na lindi natyrshëm, është: Kujt do t’ia ‘dhurojë’ Thethin tani, këtë fshat të bukur që deri dje as që njihej, sepse pikërisht politika (e të gjithë krahëve) e kishte harruar?! / Pamfleti

edi rama theth

Lini një Përgjigje