
Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar mbrëmjen e sotme se kryeministri Edi Rama teksa ka çelur fushatën e Partisë Socialiste sot ishte “i nxirë” dhe se kjo tregon shumë për të.
Sipas Berishës, Rama po bën fushatë me ata që i cilësoi si “mëkatarët më të mëdhenj”, duke iu referuar kështu kabinetit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Më tej, ish-kryeministri shtoi se Rama e parandjen “humbjen e tmerrshme” në zgjedhjet vendore më 14 maj.
“Belind Këlliçi i ka kompleksuar në mënyrë të tmerrshme. E keni vënë re se si janë mobilizuar. Ose të fshehin fushatën e Belindit, ose të përpiqen të hyjnë në autobusin e tij. Aq shumë merren me autobusin e Belindit janë gati të kthehen në pasagjerë. I çmendi me të. Edi Rama nga një anë bën fushatë me mëkatarët më të mëdhenj, organizatë kriminale është qeveria e tij. Nga ana tjetër shohin epërsinë e tmerrshme të kandidatëve tanë. Pra, kemi një start që nuk e kemi patur që nga viti 1992.
Rama sot ishte i nxirë në atë recitim që bëri sot. Ajo nxirje flet shumë. E parandien humbjen e tmerrshme. Erion Veliaj u tha qytetarëve se kur Rama ishte kryebashkiak ata merrnin vetëm 2 orë e gjysmë ujë, edhe këtë e gënjeu sepse nuk rri dot pa gënjyer. Ky po ja kthen me pemë, po mbjell 1 muaj rresht 60 pemë në ditë, 1800 pemë, për t’i thënë që ai pylli me 1 milionë pemë është më i shtrenjtë. Ata janë aq të regjur, armiqësia e tyre është e thellë. Kokën le t’i hanë njëri-tjetrit, do japin përgjigje në 14 maj”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje