SPAK përgatitet për zgjedhje vendimtare në vjeshtë; ndërsa Dumanit i afrohet fundi i mandatit mes dy zjarreve: presionit për status quo dhe ofertës së Perëndimit për të hyrë në politikë si “deus ex machina” kundër kastës së vjetër…
Shkarkimi i Arben Krajës nga posti i drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Posaçme ka bërë bujë, edhe pse nuk pati asnjë njoftim zyrtar nga SPAK. Në vend të tij është emëruar një prokurore e re, Dorina Bejko, e cila nuk ka eksperiencën e Krajës në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, aq më tepër në nivelet ku ai operonte si ish-drejtues trevjeçar i SPAK dhe figurë kyçe në kontaktet me SHBA-në dhe BE-në.
Lëvizja është bërë në heshtje, pa sqarime dhe pa transparencë, në një kohë kur SPAK ndodhet në momentin më të ndjeshëm politik dhe institucional që nga krijimi i tij. Në vjeshtën e këtij viti zhvillohen dy zgjedhje të mëdha: për drejtuesin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe për kreun e ri të SPAK. Ndërkohë, mandati trevjeçar i Altin Dumanit përfundon në dhjetor 2025, dhe ai pritet të kërkojë edhe një mandat të dytë.
Në vitin 2022, Dumani u zgjodh me vetëm një votë më shumë, mes një presioni të jashtëzakonshëm diplomatik, ku ambasadorja Yuri Kim mori pjesë personalisht në mbledhjen e KLP-së për të siguruar votat. Sot, situata është më delikate dhe më e polarizuar.
Në këtë kontekst, shkarkimi i Krajës dhe afrimi i figurave loajale pranë Dumanit mund të lexohen si pjesë e një skeme për ngritjen e një rrethit besnik, që do të ndikojë në strukturën e ardhshme të SPAK dhe vendimet e tij strategjike. Sidomos në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, që janë thelbi i funksionimit të SPAK në hetimin e krimit të organizuar transnacional dhe korrupsionit të lartë politik.
Lëvizjet e Altin Dumanit deri më tani kanë qenë të forta dhe të dukshme: Sali Berisha është në arrest shtëpie, Ilir Meta është nën hetim, ndërsa Erion Veliaj është arrestuar në zyrën e tij. Fillimisht, këto goditje u lexuan si sfidë për Ramën, por më pas retorika e kryeministrit ndryshoi. Edi Rama nisi ta përgëzonte SPAK-un publikisht, duke lavdëruar punën e Dumanit në çdo dalje, si për të dhënë mesazhin e pajtimit.
Por kjo “detante” ka një prapavijë taktike. Arrestimi i Veliajt u përdor si deterrent, për të frenuar hetimet ndaj figurave të tjera të nivelit të lartë. Rama e përdori atë për t’i vendosur kufij Dumanit: “larg telefonit dhe zyrës sime”, “amerikanët nuk janë aty më”, “kujdes me goditjet lart”, janë fraza të thëna në mënyra të ndryshme, por me një mesazh të vetëm: kërko një status quo, jo sulm total.
Ndërkohë, një tjetër manovër e heshtur po përgatitet: përfshirja e Altin Dumanit në politikë. Kjo ide qarkullon prej më shumë se një viti në qarqe diplomatike dhe institute politike europiane, si “plani rumun” që në atë rast tentoi të afronte Laura Codruța Kövesi për të rrëzuar klasën e vjetër politike në Bukuresht. Ajo u sabotua nga politika. Por në Shqipëri, situata duket më e ndezur dhe më e ndjeshme: Dumani ka popullaritet më të lartë se çdo figurë tjetër publike, madje edhe më shumë se ambasada amerikane, sipas një sondazhi të fundit të publikuar në një televizion të Tiranës, me burim nga një institut grek.
Kjo përbën kërcënim serioz për Edi Ramën, i cili e kupton mirë që çdo përplasje e hapur me Dumanin, në këtë moment, mund ta nxjerrë këtë të fundit si alternativë politike reale përballë tij. Prandaj, më shumë se për bindje, Rama po mbështet rikonfirmimin e Dumanit në krye të SPAK për një mandat të dytë, thjesht për ta mbajtur nën kontroll dhe për të shmangur radikalizimin e rolit të tij në publik.
Një përplasje tani do të ishte e rrezikshme. Dumani mund të mos tërhiqet më, dhe me mbështetjen e Perëndimit, mund të shndërrohet në figurinë që bashkon opozitën, votën gri dhe pakënaqësinë brenda vetë PS-së. Është kjo arsyeja pse Sali Berisha po e sulmon më fort se Rama, duke e quajtur “Altin Troplini” dhe duke përshpejtuar goditjet retorike ndaj tij.
Ndërsa Rama do të bëjë çdo përpjekje për të mbijetuar deri në 2026, me çdo kompromis të mundshëm, për sa kohë që kjo nuk e vendos Dumanin në rolin e liderit të ardhshëm të opozitës. Nëse kjo ndodh, loja ndalon. Dhe historia politike e Shqipërisë mund të ndryshojë më shpejt sesa parashikohet./Pamfleti
Lini një Përgjigje