TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Maj 2025, 18:26

“Dushkun e bëri Meta, strateg ishte Kaçi i ‘Zi’”/ Murrizi i përgjigjet Fevziut, një mesazh edhe për vemjet e politikës

Shkruar nga Pamfleti

“Dushkun e bëri Meta, strateg ishte Kaçi i

Myslym Murrizi, i cili garoi më 11 maj në listën e hapur të Qarkut të Tiranës si pjesë e koalicionit ‘PD-ASHM’ duke dalë i 3-ti më i votuar në rradhët e Partisë Demokratike, pas Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit, ka reaguar në rrjetet sociale ndaj Blendi Fevziut, i cili mbrëmjen e së enjtes riktheu në vëmendje zgjedhjet e 2001, duke përmenduar fenomenin e Dushkut. Në zgjedhjet e 24 viteve më parë, vetëm nga 1 zonë elektorale u prodhuan 11 mandate deputetësh, një skemë e kalkuluar me kujdes në atë kohë nga socialistët, që synonin të arrinin 84 mandate.

Në reagimin e tij, Murrizi shprehet se Dushkun e 2001 e bëri Ilir Meta që në atë kohë ishte Kryeministër, me synim që PS të merrte 84 mandate, aq sa vota duheshin për të bërë Fatos Nanon President, me qëllim që ai që ishte Kryeministër të merrte kontrollin e partisë.

Murrizi e ka shoqëruar reagimin edhe me një video, fjala e mbajtur prej tij në Parlament 2020, kur kërkonte listat e hapura, në mënyrë që të ishin qytetarët ata që do të zgjidhnin deputetët.

“Koha më dha të drejtë, dhe sot më shumë se kurrë do të vazhdoj betejën për lista 100% të hapura, sepse vota e qytetarëve të qarkut Tiranë më vlerësoi si numrin 3 më të votuarin në qark nga lista e PD-së dhe i katërti përfshirë edhe partinë e Metës”, shkruan Murrizi.

Postimi nga Myslym Murrizi

Më tha një mik se mbrëmë, në emisionin "Opinion", më ka përmendur Fevziu për zonën e Dushkut.
Ke pasur kohë mjaftueshëm për të zbardhur të vërtetën e Dushkut 2001, Blendi, por nuk të kanë lejuar ata që të paguajnë.

Pyet Metën, Kaç Islamin, “Zi”-në, Ylli Bufin dhe Platon Arapin, Blendi, se ata ta shpjegojnë hollësisht, mos bëj sikur i di të gjitha, kur në fakt di vetëm çfarë të lejojnë të dish.

Meqë qenkeni të pasionuar pas Dushkut, apo dushkarë të lindur, po ju them të njëjtën gjë që u kam thënë deputetëve të PS në parlament, në qershor 2020, të cilët rrinin si të tredhur:

Dushkun e bëri Meta kryeministër për të siguruar 84 mandate që të bënte Nanon president dhe të merrte Partinë Socialiste.
Madje vodhi edhe mandatin e Halit Shamatës në Peqin duke mbushur kutitë me polici, mandatin e Ridvan Bodes në Devoll duke rrahur brutalisht komisionerët, dhe mandatin e Fuli Kalidhopullit në Dropull, ku ka vdekur njeriu, duke mbushur kutitë në mes të parcelës.

Strategu i Dushkut, Blendi, ishte Kaç “demokratikasi” i thyerjes së kafkave.

Por, meqë ende sot është kryetar i KQZ-së zoti Celibashi, kur të përfundojë puna me shpalljen përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, ftojeni në studio dhe ai do t’jua tregojë të gjithë "historinë", sepse edhe në vitin 2001 ai ishte kryetar i KQZ-së, bashkë me Klement Zgurin dhe Gasper Kokën.

Berisha, nëse e ka harruar çfarë ka ndodhur me Dushkun në vitin 2001, mund t’ia kujtoj unë – sepse për dreq, unë mbaj mend shumë.

Dëgjojeni këtë fjalë timen për “vemjet” e përhershme të politikës që prej pesë palë zgjedhjesh vijnë në parlament pa votë, si “hajdutë” të neveritshëm.

Koha më dha të drejtë, dhe sot më shumë se kurrë do të vazhdoj betejën për lista 100% të hapura, sepse vota e qytetarëve të qarkut Tiranë më vlerësoi si numrin 3 më të votuarin në qark nga lista e PD-së dhe i katërti përfshirë edhe partinë e Metës.

 

Lini një Përgjigje