
Kryeministri Edi Rama ka nisur të përdorë sërish kartën e drejtësisë për të grumbulluar sa më shumë vota. Ai u ndal këtë pasdite në Pogradec, ku sërish vijon të shprehet se pa të ne sot do rropateshim dyerve të gjykatave.
Sipas Ramës, vetëm PS ka sjellë drejtësi të pavarur. Retorika e tij vjen dhe në kuadër të zhvillimeve për “21 Janarin” dhe mesa duket drejtësia do të jetë kryefjala e fushatës në zgjedhjet që vijnë.
“Drejtësia është në një tjetër fazë, edhe për drejtësinë është hapur porta e re. Pas asaj porte të hapur ka një tjetër rrugë që duhet përshkuar dhe duhet garantuar që porta nuk mbyllet se na kthen mbrapa”, tha Rama.
Sa i takon organizimit të partisë, Ram kërkoi që PS të hapet edhe më shumë dhe të kapërcehen kufijtë partiakë. Shembulli më i mirë është Shkodra, tha Rama, qytet i cili për herë të parë u fitua nga socialistët në zgjedhjet e 14 majit.
“Shqipëria është në një fazë tjetër të rrugëtimit të saj duke u mbështetur te një progres i vazhdueshëm. Ky progres kërkon rëndësi dhe fuqi për të vazhduar edhe më tutje, për të qenë edhe më i thellë, edhe më i shpejtë. Na udhët ta fuqizojmë PS, na duhet që ta hapim PS dhe që më shumë dhe më mirë se çdo herë tjetër të përpiqemi që hapja të jetë sa më funksionale duke synuar që përmes çdo organizate t’i kapërcejmë kufijtë partiakë që sot janë më të kapërcyeshëm që ishin deri para disa viteve si rezultat i kthjellimit të njerëzve mbi rëndësinë e interesit, të familjes, komunitet më shumë se sa mbi rëndësinë e besimit partiak”, tha Rama.
Për kryeministrin Edi Rama kjo fushatë anëtarësimesh nuk po bëhet për shkak të zgjedhjeve që po afrojnë, por sipas tij qëllimi është zhvillimi i mëtejshëm i Shqipërisë, për të cilën thotë se tashmë është futur në një fazë tjetër.
Lini një Përgjigje