
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku tha se projektligji i paraqitur në Kuvend për ndryshimin e ligjit për Komisionet Hetimore në vlerësimin e Partisë Demokratike është një përpjekje e mazhorancës për të kufizuar hapësirën që Kushtetuta i garanton opozitës në fushën e kontrollit parlamentar.
Në një deklaratë për mediat, Çollaku u shpreh se përkufizimi që projektligji i propozuar i bën konceptit “çështje e veçantë”, koncept i përcaktuar nga neni 77 i Kushtetutës është hartuar me qëllim kufizimin e mundësisë së ngritjes së komisioneve hetimore.
“Kriteret e parashikuara për ekzistencën e çështjes së veçantë jo vetëm që janë detajuar përtej nevojës ligjore dhe traditës parlamentare por krijojnë edhe paqartësi në raport me organin e parlamentit që ka tagrin e vlerësimit paraprak të plotësimit apo mosplotësimit të këtyre kritereve.
Vlerësimi përfundimtar lidhur me përmbushjen ose jo të kritereve sipas projektligjit do të varet nga vullneti i shumicës parlamentare ç’ka bie ndesh me parashikimet ligjore të kushtetutës dhe rolin kontrollues që kushtetuta i ka njohur një pakicave parlamentare”, tha Çollaku.
Lini një Përgjigje