Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka mbajtur një konferencë për mediat me zëvendëskryeministrin italian, njëherësh dhe ministër i Jashtëm, Antonio Tajani pas takimit të Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë përmendi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve.
Rama e falenderoi Tajanin për angazhimin e qeverisë aktuale italiane në të gjitha çështjet për rajonin, duke e cilësuar Italinë si “avokat” dhe zërin më të fortë në Bruksel për Shqipërinë, duke i dërguar kështu një mesazh indirekt Greqisë që na kërcënon me bllokimin e fondeve si hakmarrje për çështjen Beleri.
“Kjo do të thotë se jo vetëm gjuha e përbashkët, meqë italishtja është gjuha e dytë e shqiptarëve po edhe gjuha politike dy palëshe, ndërkombëtare është e njëjta. Kjo ka të njëjtën qëndrime mbi të gjitha çështjet dhe na bën nder që Italia është aleati ynë më i besuar në nivelin evropian dhe zëri më i fortë në Bruksel për të mbështetur Shqipërinë dhe Ballkanin perëndimor në rrugëtimin evropian. Na kënaq shumë që kjo qeveri ka një angazhim të veçantë për të kaluar nga shumë premtime të të qenit bashkërisht dhe të kaluarit nga këto premtime në fakte konkrete në fushën e ekonomisë, në politikat e përbashkëta të sigurimit.”, theksoi Rama.
Rama tha se lajm i mirë për shqiptarët në Itali është marrëveshja e pensioneve, e cila sipas tij është drejt përfundimit.
“Dua t’u them shqiptarëve se ka shqiptarë që janë në Itali prej vitesh dhe kontribuojnë në zhvillimine ekonomisë italiane, marrëveshja për pensionet është një arritje si pikënisje e shumë të tjerave. Të gjithë shqiptarët e shumtë që kanë punuar e punojnë në Itali më në fund do ngrenë dolli për lavdinë e Republikës italiane dhe për këtë qeveri e vila do e çojë në fund këtë nismë nga pikëpamja sociale.”, tha ai.
Lini një Përgjigje