Një ditë pas vendimit të Apelit, Berisha ka ashpërsuar fjalorin e sulmeve dhe akuzave ndaj njerëzve të drejtësisë...
Ish-kryeministri Sali Berisha ka ashpërsuar sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme. Edhe pse KLGJ e KLP kanë dënuar gjuhën e përdorur prej tij, Berisha nuk është përmbajtur gjatë një takimi në Lezhë. Teksa një ditë më parë Apeli la në fuqi masat e sigurisë ndaj tij dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi, Berisha sot ka shpërthyer në akuza nga më të ndryshmet.
“Edi Rama ka sot atë kontroll që kishte Enver Hoxha dikur mbi hetuesinë e Sigurimit të Shtetit, mbi SKAP-in e partisë. E ka mbushur me kriminelë të vërtetë, me prokurorë që shesin dosje për 200 mijë, 300 mijë euro. Me prokurorë që shesin dëshmi për 200 mijë, 300 mijë euro. Me prokurorë që djegin regjistrimet të cilat faktojnë se Taulant Balla është implikuar në vrasje.
Me prokurorë, të cilët djegin dokumente që dëshmojnë se Olsi Rama ka qenë de facto, kreu i bandës së kokainës të Xibrakës. Që dëshmojnë se ortaku i tij, Amant Josifi qëndron prapa skemave që u grabitën europianëve 2.2 miliardë euro. Me prokurorë, të cilët mbyllin apo veprojnë si mercenarë në duart e Edi Ramës”, tha ai.
Berisha madje ka komentuar dhe një sondazh që u bë një ditë më parë. Por harroi të tregojë se shumica e shqiptarëve nuk e mbështesin në këtë betejë që ka nisur.
“U bë studimi, mençuria olimpike e demokratëve, çfarë tregonte, vetëm 8 për qind e demokratëve mendim pozitiv për SKAP-in. 82-92 për qind, ashtu siç është. Nuk ka pasur Shqipëria organ të tillë politik ndonjëherë”, tha ai më tej.
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë marrë të pandehur për privatizimin e pronave te ish-kompleksi sportiv “Partizani”. Berisha është lënë në “detyrim paraqitje”, ndërsa dhëndri i tij në “arrest shtëpie”. Berisha e apeloi vendimin, por u rrëzua dhe tani sfida e tij do të jetë më 4 dhjetor, pasi do të duhet të shkojë në SPAK. Nëse refuzon, do të duhet të merren masa rëndese ndaj tij. /Pamfleti
Lini një Përgjigje