
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi pas mbledhjes së grupit, konfirmoi atë që tha ish kryeministri Sali Berisha, se pakti për emigrantët do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Në një deklaratë për mediat ai pranoi se gjatë mbledhjes së grupit kishte pasur deputetë që kishin kundërshtuar dërgimin e paktit me Italinë për emigrantët në Gjykatën Kushtetuese, por se në fund të gjithë votuan pro.
“Nuk ka pasur një ndarje të tillë. Ka pasur kolegë që kanë gjykuar se nuk do të duhet çuar në Gjykatën Kushtetuese. Në përfundim secili ka mbajtur qëndrimin e tij dhe të gjithë ramë dakord që rruga më e drejtë është që kjo marrëveshja të çohet në gjykatën kushtetuese. Disa kolegë kanë mbajtur një qëndrim ndryshe por gjatë votimin nuk ka pasur kundërshti”, tha ai pas mbledhjes së grupit.
Bardhi u pyet edhe për nismë të aleatëve të Partisë Demokratike për bashkimin e opozitës, për të cilën tha se së shpejti do të ketë një prezantim të platformës.
“Së pari sipas njoftimit që kam nga kolegët e partive aleate do të kenë një konferencë ku do të prezantojnë një platformë për bashkimin e opozitës. Ne mbështesim çdo iniciativë të cilitdo që synon bashkimin e opozitës. Është një platformë e partive aleate që do t’i prezantohet Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar”, theksoi ai.
Ndërsa më 6 nëntor, deputetët e opozitës nuk u lejuan të hyjnë në ambientet e Kuvendit, situata këtë të enjte ishte ndryshe.
“Ndalimi i hyrjes së deputetëve në zyrat e tyre është një masë e dhunimit të të drejtave të opozitës. Vendimin e sotëm e vlerësojmë si nismë të Kryetares së Kuvendit për zbatimin e rregullores. Sot ka pasur një reflektim që vlen të përshëndetet”, tha Bardhi.
Lini një Përgjigje