Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i dyshes Berisha-Meta ka ankimuar vendimin e Komsionit Qendror të Zgjedhjeve që vendosi që mos t‘i heqë mandatin Kreshnik Hajdarit, kryetar i bashkisë së Kuçovës.
Hajdari nuk deklaroi në formularin e deklarimit dënimin për shkeljen e kufirit në Greqi, kur ishte 17 vjeç.
Koalicioni opozitar e ka depozituar ankimimin në Komisionin e Ankimimeve dhe të Ankesave pranë KQZ-së.
Vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, “Bashkë Fitojmë” e konsideron “absurd dhe haptaz në kundërshtim me ligjin”.
Treshja e avokatëve që përfaqësojnë koalicionin “Bashkë Fitojmë”, Arben Llangozi, Franci Nuri dhe Altin Kazia, kërkojnë të ndërpritet para kohe mandati i kryetarit të Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Hajdari u paraqit në mbledhjen e KQZ-së, por zgjodhi të mos thotë asnjë fjalë dhe mbrojtjen ta bëjë përfaqësuesi i tij ligjor Theodhori Sollaku.
Përkrah tyre, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” me 3 përfaqësues ligjorë. Pas tyre, edhe Lefter Maliqi, kandidati i aleancës Meta-Berisha për zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Kuçovës.
Theodhori Sollaku, avokati i Kreshnik Hajdarit tha se nuk ka asnjë shkak për t’i ndërprerë mandatin. Ai tha se Hajdari në Greqi është dënua për shkelje kufiri kur ishte i mitur dhe nuk futet tek veprat e ndaluara.
"Nuk ka asnjë shkak për të justifikuar ndërprerjen mandatit ët kreshnikut, farë pretendohet nga personat që kanë iniciuar këtë procedurë rezulton që në vitin 99, ku Hajdari ishte në moshën 16 vjeç është kapur nga autoritetet greke për kalim të paligjshëm të kufirit. Është bërë një procedurë që nuk dihet nëse ka qenë penale apo administrative në fund është marrë masa qortim, dhe janë larguar nga shteti grek. Nëse fabula është kaq, nuk është asnjë nga rastet ndaluese të dekriminalizimit.”, tha ai.
Për koalicionin Bashkë Fitojmë që bëri kërkesën për verifikim, ligji i dekriminalizmit parashikon qartazi ndërprerjen e menjëhershme të mandatit nëse nuk është deklaruar në formular një vendimi gjykate.
"I qëndrojmë qëndrimit se mandati duhet ndërprerë menjëherë për shkaqet si vijon, nuk ka rëndësi masa apo lloji i dënimit, sipas ligjit ka rëndësi nëse kjo gjë është deklaruar apo jo në formular. A është i dënuar zotëria me vendim të formës së prerë? Prokuroria e Përgjithshme thotë po. A e ka deklaruar në formular? Përgjigja është jo. Çfarë parashikon ligji dhe vendimi i Kuvendit? Parashikon ndërprerje të menjëhershme të mandatit, qoftë edhe një vendim administrativ", tha Franc Nuri.
Ky vendim i shpallur, i cili brenda 30 ditëve mund të ankimohet në KAS, ngjalli revoltën e Lefter Maliqit, i cili artikuloi akuza të rënda ndaj Celibashit.
"Nëse ka marrë para, do dalë, është njeh turp një skandal, diktaturë e pastë", tha Maliqi.
Drejtësia greke i përcolli pak ditë më parë ministrisë sonë të Drejtësisë, një vendim që faktonte se kryebashkiakut i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është dënuar nga gjykata e Janinës, ndërkohë që në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk është i dënuar. Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.
Sipas vendimit të drejtësisë greke, i pandehuri Kreshnik Hajdari, në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor. Kërkesën në KQZ për verifikimin e pastërtisë së figurës së kryetarit të Bashkisë së Kuçovës e dorëzoi në KQZ koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe verifikimet i kreu Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë, në Shqipëri, Kreshnik Hajdari nuk rezulton të jetë i dënuar dhe as të ketë ndryshuar emrin, sipas shkresave zyrtare nga Gjendja Civile dhe drejtoria e Burgjeve.
Lini një Përgjigje