Pakistani është aleat i ngushtë ekonomik dhe ushtarak i Kinës, ndërsa India e SHBA-së. Dy superfuqive nuk u intereson një luftë e madhe në Azi, por joshen të ushtrojnë presion përmes palëve të treta për të nxjerrë sa më shumë përfitime...

Dy javë pas një sulmit terrorist vdekjeprurës në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit, India e ka sulmuar me raketa Pakistanin. Qeveria indiane pretendon se ka kryer 9 “sulme të sakta ndaj kampeve stërvitore terroriste” në Kashmir.
Nga ana e tij, Pakistani pretendon se ka rrëzuar disa avionë luftarakë indianë dhe po kërcënon me një hakmarrje të menjëhershme kundër Indisë. Përshkallëzimi i tensioneve midis 2 vendeve fqinje nuk është për t’u habitur. Sapo ndodhi sulmi terrorist i 22 prillit, zyrtarët indianë shpallën fajtor grupin terrorist pakistanez Lashkar-e-Taiba, dhe akuzuan autoritetet pakistaneze për bashkëpunim.
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, i hodhi poshtë me zemërim këto akuza, dhe i kërkoi Shteteve të Bashkuara ta drejtonte Indinë drejt një kursi të uljes së tensioneve. Por këto rekomandime nuk u morën parasysh nga Nju Delhi.
Tani që India dhe Pakistani janë sërish në një kurs përshkallëzimi, pyetja kryesore është se çfarë do të ndodhë më pas? Nëse jeni një natyrë optimiste, historia sugjeron se mund të ndodhë një ulje e shpejtë e tensioneve. Lufta e Kargilit e vitit 1999, ofron një precedent për këtë skenar.
Në majin e vitit 1999, trupat pakistaneze të maskuara si militantë të Kashmirit, nisën sulmet në anën indiane të se ashtuquajturës Linja e Kontrollit. Pas mbi 1.000 viktimave nga të dyja palët, India e rimori Kargilin në qershor të atij viti. Lufta u pasua nga përplasje të shumta por të kufizuara me armë zjarri.
Megjithatë, ato nuk shkaktuan një luftë të madhe midis fuqive të armatosura me armë bërthamore në Azinë Jugore. Pavarësisht këtyre precedentëve historikë optimistë, ka arsye të besohet se ky konflikt është më i rrezikshëm.
Traktati i Ujërave të Indusit i vitit 1960, e kishte institucionalizuar ndarjen e burimeve ujore nga 6 lumenjtë kryesorë të rajonit të Indusit, dhe shërbeu si një agjent i sigurt për shtensionimin e situatave në rast krize. Anulimi i këtij traktati nga kryeministri indian Narendra Modi, e hoqi këtë mekanizëm mbrojtës.
Ndonëse Indisë i mungon infrastruktura e digave dhe rezervuarve për të ruajtur sasi të mëdha uji shtesë, Modi duket se është i vendosur që t’ia ndërpresë Pakistanit qasje në burimet ujore nga rajoni i Indusit. Kjo vendosmëri interpretohet në Islamabad si një akt lufte i pa negociueshëm.
Konfliktin e favorizon edhe politika e brendshme në Pakistan dhe Indi. Që nga rrëzimi nga pushteti i ish-kryeministrit Imran Khan në prillin e vitit 2022, Pakistani është përballur me trazira dhe me marrëdhënie të vështira midis organeve civile dhe atyre ushtarake.
Ndërsa qetësimi i situatës pas Luftës së Kargilit, i hapi rrugën largimit të kryeministrit të kohës Nawaz Sharif dhe grushtit të shtetit të gjeneralit Pervez Musharaff, udhëheqja e Pakistanit mund të ngurrojë të kërkojë shpejt paqe.
Ndërkohë, përshkrimi i shpeshtë i partisë rivale të Kongresit nga ana e kryeministrit Modi si “tepër e butë ndaj Pakistanit”, dhe lidhja e retorikës anti-pakistaneze me apelin e tij populist, i shton një shtresë tjetër të brendshme përshkallëzimit të situatës. Dhe rritja e njëkohshme e tensioneve midis SHBA-së dhe Kinës, përbën një tjetër element që e ndërlikon menaxhimin e konfliktit Indi-Pakistan.
Për shkak të Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan prej 3.000 km, i cili u përurua në vitin 2015, presidenti kinez Xi Jinping e sheh Pakistanin si një partner strategjik thelbësor. Nën udhëheqjen e Donald Trump, SHBA-të janë bërë bashkë me Indinë në luftën tarifore, duke kultivuar marrëdhënie më të ngushta me Nju Delhin.
Ndërsa as SHBA-të dhe as Kina nuk përfitojnë nga një luftë e hapur në Azinë Jugore, këto polarizime mund t’i pengojnë ato të mbështesin de-përshkallëzimin në një mënyrë të unifikuar.
Gjatë 3 viteve të fundit, bota ka parë e tmerruar teksa Rusia kërcënonte me një apokalips bërthamor Ukrainën dhe Perëndimin. Konflikti më i ri Indi-Pakistan, e çon në nivele të reja rrezikun e një përplasjeje apokaliptike midis fuqive bërthamore./Pamfleti nga “Daily Telegraph”
Lini një Përgjigje