TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Dhjetor 2024, 13:29

Bllokoi foltoren e Kuvendit, Shehaj përplaset me deputetët e PD: E turpshme, ju përdor qeveria të mbuloni aferën

Shkruar nga Pamfleti

Bllokoi foltoren e Kuvendit, Shehaj përplaset me deputetët e PD: E

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, në seancën plenare të kësaj të enjteje, përjashtoi deputetin opozitar Agron Shehaj. Sipas Spiropalit, Shehaj u përjashtua për shkak të bllokimit të Foltores së Kuvendit.

Por edhe pas rifillimit të seancës plenare, deputeti nuk u largua nga Foltorja dhe kërkoi që t’i jepej fjala për replikë me ministren Belinda Balluku, mbi kërkesën e bërë prej tij për interpelancë për koston e ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar. Edhe pse Shehaj nuk u largua nga foltorja, deputetët e PD dhe PS vijuan të merrnin fjalën nga vendi.

Në një lidhje live në Facebook, Agron Shehaj vazhdoi fjalën, ku u përplas dhe me deputetët e Partisë Demokratike. Teksa deputeti Agron Gjekmarkaj po merrte fjalën nga vendi, Shehaj i tha se po përdorej nga maxhoranca për të mos e lejuar të flasë për një aferë 1.3 miliardë euro.

“Kur deputetët e opozitës bëhen vegla, është e turpshme. Zonja kryetare, të qesh buza tani, shiko se ku e katandise opozitën. Është skandal kjo që po bën opozita. 8 vite u kam dalë në krah deputetëve të opozitës, pavarësisht se nuk mendoja njësoj, i kam respektuar. Është një skandal që vazhdoni të merrni fjalën dhe nuk më lejoni një të drejtë bazike për të marrë fjalën për një replikë për procedurë”, tha Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia u përplas edhe me deputeten Jorida Tabaku, e cila mori fjalën gjithashtu nga vendi.

“Zonja kryetare, respektoni rregulloren e Kuvendit, kam kërkuar fjalën. Zonja kolege deputete, nuk mund të injorosh një betejë që duhet ta kemi bërë të gjithë bashkë për një PPP 1.3 miliardë euro. Kur të të kanë hequr fjalën, unë kam dalë dhe kam mbështetur, ti tani po bëhesh me maxhorancën. E kuptoni që maxhoranca ju bën lëmsh dhe ju bini vetë me këmbët tuaja? Shikoni çfarë u bën maxhoranca. Sa turp do dilni përpara votuesve nesër dhe kuptoni që besimi është gjithçka për votuesit. Jorida, si do t’ja shpjegosh votuesve që unë bëra një betejë për një PPP 1.3 miliardë euro dhe ju u bëtë me maxhorancën?”, tha Shehaj.

 

Lini një Përgjigje