Tre muaj zvarritje, gënjeshtra publike dhe shkelje ligji nga KLP, ndërsa SPAK kërkon të kontrollojë edhe Byro-në e Hetimit përmes klanit të vet...
Emërimi i drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit është bllokuar me qëllim nga Mirela Bogdani dhe kupola e SPAK. Dosja e kandidatit Joni Keta është në KLP prej një jave, por procedura nuk futet në rend dite, duke shkelur afatin ligjor dhe premtimet publike. Zvarritja lidhet me pazarin politik për përzgjedhjen e kreut të ri të SPAK dhe synimin për ta vendosur BKH-në nën kontroll të plotë të klaneve që ndikojnë në drejtësi. BKH po mbahet pa drejtues për interesa që shmangin ligjin dhe minojnë strukturën e vetme hetimore të pavarur në vend.
Pas tre muajsh lënie të drejtimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit me zëvendësdrejtor, për shkak të kulisave të krerëve të SPAK me lidhje në kupolën politike dhe oligarkike, Altin Dumani ra në ujdi me klanet dhe çoi për votim emrin e kandidatit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Më 26 nëntor, ditën kur u përzgjodh dhe u çua emri i kandidatit në KLP, kryetarja Mirela Bogdani deklaroi se dosja është e kompletuar dhe se drejtori i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të emërohej më 2 dhjetor 2025.
Por më 2 dhjetor, Mirela Bogdani nuk e futi në rend dite emërimin e kandidatit Joni Keta, duke gënjyer sërish publikisht dhe pa dhënë asnjë sqarim përse nuk e emëroi drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gjatë tre muajve zvarritje, ajo u justifikua me faktin se komisioni vlerësues i SPAK nuk kishte kryer testimin fizik, testin e poligrafit, verifikimin e figurës dhe pasurive të kandidatëve dhe se nuk kishte çuar ende emrin e përzgjedhur për drejtor.
SPAK e dorëzoi emrin e kandidatit më 26 nëntor dhe tashmë detyrimin për të vendosur e ka KLP-ja. Por kryetarja Mirela Bogdani nuk e zbatoi afatin zyrtar të 2 dhjetorit për emërimin e drejtorit të BKH dhe nuk ka caktuar asnjë afat të ri.
Gënjeshtrën e parë, Mirela Bogdani e tha gjatë raportimit vjetor në parlament, kur deklaroi se përzgjedhja dhe emërimi i drejtorit të BKH do të mbyllej brenda datës 10 nëntor 2025. Por muaji nëntor kaloi dhe ka nisur dhjetori, ndërsa kryetarja e KLP nuk po e emëron drejtorin e BKH, megjithëse prej një jave ka dosjen e kandidatit mbi tavolinë, duke e lënë strukturën e hetimit pa drejtues ligjor.
Sipas ligjit për funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, drejtori i ri i BKH duhej të ishte emëruar më 25 gusht 2025 dhe të kishte nisur detyrën më 1 shtator. Por përveç kulisave brenda kupolës së SPAK dhe pazareve me kupolën politike, procesi u zvarrit deri më 26 nëntor. Tani po zvarritet pa asnjë arsye nga kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani.
Para disa ditësh, “Pamfleti” paralajmëroi një skenar mes treshes SPAK–KLP–politikë, që drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit të emërohet paralelisht me drejtuesin e ri të SPAK-ut, ose vetëm pasi të zgjidhet ai. Të dy emërimet i kontrollon KLP-ja./Pamfleti
Lini një Përgjigje