
Sanksionet amerikane mbyllin rafinerinë e vetme në Serbi, Vuçiç përballet me krizën më të rrezikshme energjetike në rajon...
Aleksandar Vuçiç, njeriu që manovron mes Lindjes dhe Perëndimit me mjeshtrinë e një ekuilibristi politik, ka rënë përfundimisht në grackën që vetë ka ndërtuar: rafineria e vetme e Serbisë, pronë e kompanisë NIS me kontroll rus, ka ndalur punën për shkak të sanksioneve amerikane.
Mungesa e licencës për importin e naftës bruto e ka lënë në “cirkulim të ngrohtë” rafinerinë, ndërsa vendi përballet me krizë të afërt furnizimi.
Vuçiç, në një fjalim emocional e të tensionuar, paralajmëroi se vendimi i Uashingtonit nuk sjell “asgjë të mirë”, duke përmendur rrezikun për gjithë sistemin energjetik dhe logjistik të vendit. Por ajo që nuk tha, është përgjegjësia e tij direkte për këtë situatë: për vite me radhë, ai ka lejuar që një infrastrukturë strategjike si NIS të mbetet në duart e interesave ruse, duke refuzuar diversifikimin energjetik dhe pavarësinë reale nga Moska.
Tani, pas dyerve të mbyllura të rafinerisë, qëndron hija e një aleance me Rusinë që po i kushton Serbisë jo vetëm ekonomikisht, por edhe diplomatikisht. Kriza e nisur në Pançevë nuk është vetëm çështje e Serbisë. Ajo është kambanë alarmi për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Furnizimet, çmimet dhe stabiliteti energjetik janë në pikëpyetje, ndërsa aleancat e vjetra po digjen me të njëjtën naftë që dikur premtonte siguri.
Vuçiç nuk mund të luajë më me të dyja palët. Koha e manovrave përfundoi. Nafta ka nisur të digjet dhe me të, edhe miti i stabilitetit të tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje