TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Korrik 2024, 11:47

Biden mund të mos e mbyllë dot mandatin, rrezikon shkarkimin sipas Amendamentit të 25-të

Shkruar nga Jonathan Turley

 

Biden mund të mos e mbyllë dot mandatin, rrezikon shkarkimin sipas
Joe Biden dhe Kamala Harris /

Amendamenti i 25-të i referohet kryesisht paaftësisë së plotë fizike. Kështu nëse një president bie në koma, atëherë paaftësia është më se e dukshme, dhe Seksioni 4 i këtij amendamenti e lejon zëvendëspresidentin dhe shumicën e kabinetit të nënshkruajnë një deklaratë në Kongres, se presidenti në detyrë është i paaftë për të mbajtur postin...

Vendimi i presidentit Joe Biden për t’u tërhequr si kandidati i Partisë Demokratike, zgjidhi një problem akut për partinë e tij. Ai kishte rënë shumë në sondazhe, pasi shumica dërrmuese e votuesve kanë arritur në përfundimin se është shumë i dobësuar nga mosha, për të shërbyer në një mandat tjetër.

Megjithatë, tani lëvizja e tij ka krijuar disa probleme të reja, përfshirë atë të një presidenti i cili shihet si i paaftë për të kandiduar për një detyrë që ai vazhdon ta mbajë. Duke e detyruar Biden të tërhiqet nga gara, Partia Demokratike krijoi në thelb versionin e saj politik të Amendamentit të 25-të të Kushtetutës së SHBA-së.

Vendim i shpallur të dielën, ishte po aq “vullnetar”, sa largimi nga një ndërtesë jo nga dera, por përmes hedhjes nga një dritare e katit të 46-të. Dhe ky është veçanërisht rasti kur këtë e bëjnë “miqtë” tuaj më të ngushtë. Dhe hipokrizia do të shpaloset nga një media, e cila do ta lavdërojë Biden pas disa javë sulmesh ndaj tij dhe cilësimit si i paaftë dhe i dobësuar për të vazhduar të jetë president.

Megjithatë, lëvizja e djeshme ngre natyrshëm një pyetje logjike: Si mund të qëndrojë Biden në detyrë, kur nuk është në gjendje të kandidojë për postin? Për momentin, ai është i paqartë në lidhje me arsyen e tërheqjes së tij, pasi ka pohuar për ditë të tëra se do të jetë kandidati i Partisë Demokratike.

Në njoftimin fillestar, thotë thjesht se tërheqja është në interesin më të mirë të vendit. Në këto kushte, paria e Partisë Demokratike, ka përpara dy opsione, jo dhe aq tërheqëse. Së pari, mund të argumentojë që Biden u tërhoq nga vetëdijesimi se nuk është më politikisht tërheqës për elektoratin.

Megjithatë, kjo do të ishte një tallje e madhe me procesin demokratik. Sepse është fakt, që miliona njerëz votuan në zgjedhjet paraprake për ta zgjedhur atë si kandidatin e tyre. Dhe tani ai mënjanohet, dhe do të zëvendësohet njëlloj si në Byronë Politike të Bashkimit Sovjetik.

Së dyti, mund të pranohet se Biden ishte, siç u tha për javë të tëra në media dhe nga figura të larta si këshilltari special Robert Hur, shumë i dobësuar si mendërisht ashtu edhe fizikisht. Megjithatë, kjo tërheqje nënkupton pranimin se mund të ndodhë një shkarkim bazuar në Amendamentin e 25-të.

Dhe ky zhvillim mund të nxisë një debat të re kushtetues. Amendamenti i 25-të i referohet kryesisht paaftësisë së plotë fizike. Kështu nëse një president bie në koma, atëherë paaftësia është më se e dukshme, dhe Seksioni 4 i këtij amendamenti e lejon zëvendëspresidentin dhe shumicën e kabinetit të nënshkruajnë një deklaratë në Kongres, se presidenti në detyrë është i paaftë për të mbajtur postin.

Megjithatë, Harris është e interesuar ta shmangë imazhin e Brutit në silurimin e presidentit. Që të mbështeste një deklaratë të tillë, ajo do të rrezikonte që Biden ta shpallte një tradhtare në sytë e amerikanëve. Në fakt, politika ndjek të njëjtat rregulla si mafia mbi bosin e bosëve (capo di tutti i capi):Vrite një don (bos), por mos u bë kurrë vetë një i tillë.

Gjithsesi, ekziston edhe një mundësi tjetër jo pak intriguese. Seksioni 4 i Amendamentit 25-të, parashikon momentin kur “zëvendëspresidenti dhe shumica e zyrtarëve kryesorë të departamenteve ekzekutive ose një organi tjetër, mund të kërkojnë një shkarkim sipas ligjit”.

Demokratët e kanë përdorur më herët këtë, për të sugjeruar se mund të krijonin nismën e tyre për ta detyruar ish-presidentin Donald Trump të largohej nga detyra. Në fakt, kongresmeni demokrat Jaime Raskin, prezantoi projektligjin e quajtur Akti i Komisionit Mbikëqyrës mbi Kapacitetin Presidencial, për të ngritur një komision special që do të shqyrtonte kapacitetin e presidentit.

Kjo do të anashkalonte domosdoshmërinë që Harris ta detyrojë Biden të largohet para kohe nga detyra. Çështja është nëse Kongresi do ta marrë tani këtë vendim për të garantuar një hetim, apo edhe një projekt-ligj të ngjashëm me atë të Raskin.

Rasti i Biden është ndryshe nga vendimi i presidentit Lyndon Johnson më 31 mars 1968, kur tha: ”Unë nuk do të kërkoj dhe nuk do të pranoj emërimin e partisë sime për një mandat tjetër si presidenti juaj!”. Por kjo deklaratë u bë para garave primare.

Në rastin konkret, Biden i fitoi zgjedhjet paraprake, në të cilën Partia Demokratike pengoi këdo që do ta sfidonte atë si dhe çdo debat. Miliona njerëz votuan për të, dhe dhjetëra miliona dollarë u mblidhen për fushatën e tij. Biden u tërhoq disa javë përpara se të pranonte nominimin zyrtar.

Vetëm ky vendim i paprecedentë, do të garantonte një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve për kapacitetin e vazhdueshëm të Biden për të shërbyer në një post, për të cilin ai nuk beson më se mund të kandidojë pas janarit 2025. Përpara këtij vendimi, një këshilltar i posaçëm përmendi aftësitë e zvogëluara të presidentit Biden si  një arsye për të mos e paditur atë për mbajtjen dhe trajtimin e paligjshëm të materialeve të klasifikuara.  

Tani, me tërheqjen nga gara, presidenti po na thotë se përveçse është shumë i dobësuar për t’u ndjekur penalisht, është i tillë edhe për të kandiduar për postin që mban aktualisht. Pyetja është nëse Biden i ka dhënë fund betejës për të vazhduar garën, vetëm për të shkaktuar tani një luftë të re për të mbajtur postin e tij deri në përfundim të mandatit./Përshtati Pamfleti nga “The Hill”

Shënim: Jonathan Turley,  profesor i së Drejtës së Interesit Publik në Universitetin George Washington.

jonathan turley biden rrezikon shkarkimin amendaneti 25

Lini një Përgjigje