
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të opozitës për pastrim parash në sektorin e ndërtimit, gjatë një takimi me sipërmarrës të këtij sektori. Ai ka cilësuar këto pretendime të pabazuara dhe duke kritikuar mënyrën e bërjes së politikës nga kundërshtarët.
Në fjalën e tij, Rama theksoi rolin e rëndësishëm të ndërtimit në ekonomi dhe vështirësitë e sipërmarrjes.
“Nuk e kuptojnë ata se çfarë do të thotë të japësh 700 paga në muaj dhe t’i japësh çdo muaj, dhe t’i rrisësh dhe të vazhdosh t’i japësh… nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të ndërtosh një kompani", u shpreh Rama.
Ai tha gjithashtu se kritikat ndaj sektorit vijnë nga mungesa e njohjes së realitetit ekonomik.
Kryeministri akuzoi opozitën për përdorim të mediave të huaja për të dëmtuar imazhin e vendit, ndërsa shtoi se praktika të tilla nuk ndihmojnë në fitimin e betejës politike.
“Atyre ju duhet të mbushin 2 orë televizor… dhe fut e bjer Shqipërisë. Po fitohet beteja politike duke furnizuar mediat e huaja me baltë? Po nuk fitohet duke paguar gazetarë e duke paguar portale jashtë për të nxjerrë baltën", tha ai.
Rama solli në vëmendje edhe shembuj nga vendet e rajonit, duke theksuar se sipas tij, opozitat atje nuk veprojnë njësoj.
“Ka pasur gati luftë civile në Maqedoni… nuk shkonin kundërshtarët e qeverisë… në Bruksel për të ulur e ngritur vendin e tyre. Nuk shkonin në Bruksel të ulnin e të ngrinin njëri-tjetrin dhe të kërkonin dënimin e Malit të Zi", u shpreh kryeministri.
Lini një Përgjigje