
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ende nuk e pranon humbjen në zgjedhjet e 11 Majit. Ai ka akuzuar sërish kryeministrin Rama, pasi sipas tij i ka vjedhur votat e zgjedhjeve 2025.
Në një konferencë për shtyp ditën e sotme, kreu i PD ka folur lidhur me agjendën e tij një ditë më parë në Bruksel gjatë Forumit të Bashkimit Demokrat. Berisha tha se qëllimi i udhëtimit të tij ishte mbrojtja e votës së qytetarëve dhe denoncimi i farsës elektorale, të cilën e cilëson si më të madhen në 34 vite.
"Dje u ktheva nga Brukseli, ku mora pjesë në Forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, organizatë të qendrës së djathtë dhe konservatore. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë. Denoncimi i farsës më të shëmtuar elektorale dhe i 34 viteve elektorale të 11 majit 2025.
Gjatë dy ditëve në Bruksel unë pata takime intensive me drejtuesit kryesorë të Bashkimit Ndërkombëtar, me Stefan Harper dhe Sekretarin e Përgjithshëm Tina Mercep, ndër të tjera takova shumë miq të vjetër por edhe miq të rinj në Europë dhe në botë. Takova europarlamentarë me interesa për proceset elektorale në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha tha gjithashtu se bonusi i pensionistëve ishte blerje e votës së tyre nga qeveria.
"Në të gjitha këto takime unë njoha bashkëbiseduesit e mi me vjedhjen e madhe nga narkodiktatori Edi Rama. Në këtë aspekt u paraqitën vendimet e qeverisë për bonusin famoz, 100 euro për votë për çdo pensionist dhe për të falur gjobat. Punësimet, dhjetëra mijëra punësime për votë dhe dhjetëra hektarë kanabis për votë”, u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje